25 Shtator, 2022 - 6:59 pm
Ka përfunduar edicioni Fokus Award i 13 i fotografisë në Fier, ku çmimin e parë e mori shqiptari nga Kosova, Naim Shala. Në këtë event, janë paraqitur 180 punime të artistëve, të cilët vijë nga vende të ndryshme të botës.
Tema e këtij edicioni të festivalit të fotografisë u titullua “THE OTHER”, ku marrin pjesë artistë nga 23 vende të ndryshme të botës me 180 krijimtaritë e tyre në fotografi.
Drejtori i festivalit, Arben Alliaj tha se këtë vit janë më shumë pjesëmarrës dhe nga më shumë vende, ku fillimisht janë paraqitur 430 punime ndërsa nga kuratorët janë përzgjedhur për konkurim 180 prej tyre.
Fotografi i njohur italian dhe fitues i dy çmimeve ndërkombëtare “World Press Photo Award”, Francesco Cito foli mbi vlerat e veprave dhe artistëve ndërsa kjo traditë mes artit dhe artistëve përcjell mesazhe dhe afron artistët dhe kulturat e tyre.
“Në këtë ekspozitë artistët kanë sjellë copëza të jetës nga vendet e tyre. Festivali, tashmë i mirënjohur edhe ne botë, kërkon në çdo event të tij të sugjerojë fotografinë si një dritare ku mund të shohësh një moment, mund të ndërtosh një histori apo ide që shumëfishohet nga imagjinata me mijëra fjalë”tha Cito.
Ekspozita do qëndrojë e hapur 7 ditë në Fier. /KultPlus.com