NASA nis mision për asteroidët e Jupiterit

16 Tetor, 2021 - 4:00 pm

Agjencia amerikane për kërkime hapësinore, NASA, pritet që të shtunën ta nisë misionin e parë të llojit të vet, të quajtur “Lucy”, për t’i studiuar asteroidët “Trojan” të planetit Jupiter. Shkencëtarët besojnë se këta gurë të mëdhenj janë mbetje e materialit të lashtë, nga i cili janë formuar planetet e jashtme të Sistemit Diellor. Ndërkohë në Kosovë, për çdo vit në prag të periudhës dimërore, riaktualizohet tema e qenve endacakë.

Sonda e vendosur në një kapsulë të posaçme pritet të ngrihet nga sipërfaqja e planetit tonë nga stacioni ajror “Cape Canaveral” në Florida në orën 5 e 34 minuta sipas kohës lokale, e bartur përmes raketës “Atlas V”, që është prodhuar si pjesë e bashkëpunimit të kompanive gjigante, “Boeing Co” dhe “Lockheed Martin Corp”.

Nëse gjithçka zhvillohet sipas planit, “Lucy” do të endet nëpër hapësirë në një ekspeditë 12-vjeçare për të studiuar një numër rekord të asteroidëve. Kjo sondë do të jetë e para që do të përdoret për eksplorimin e asteroidëve “Trojan”, që paraqesin mijëra objekte gurore, të cilat kryejnë orbitë rreth Diellit në dy tufa – një para rrugës së Jupiterit dhe një tjetër pas tij.

Asteroidët më të mëdhenj “Trojan”, të emëruar sipas mitologjisë greke, besohet se kanë diametër deri në 225 kilometra, shkruan Reuters.

Shkencëtarët shpresojnë që fluturimi i sondës afër shtatë asteroidëve të tillë do të sigurojë të dhëna të reja për atë se si janë formuar planetët e Sistemit Diellor para rreth 4.5 miliardë viteve dhe çfarë ua ka dhënë formën që e kanë tash.

Pasi besohet se janë të pasur me komponime të karbonit, asteroidët gjithashtu mund të ofrojnë pikëpamje të reja rreth prejardhjes së materialeve organike dhe jetës në Tokë, tha NASA./KultPlus.com

Të ngjajshme