7 Maj, 2020 - 1:10 pm
Ka vdekur sot ish-drejtori i Baletit Kombëtar të Kosovës, Ahmet Brahimaj. Gjatë udhëheqjes së Brahimajt, Baleti i Kosovës ka bashkëpunuar me shumë koreografë të shquar nga e gjithë bota dhe këtë rrugë të shtruat me punë e vullnet, Brahimaj ju la pas balerinëve të rinj të cilët sot janë të prekur thellësisht nga vdekja e profesorit të tyre, por nesër me krenari do të vazhdojnë këtë rrugë për të cilën ai ju mbolli shumë dashuri, shkruan KultPlus.
Bashkëpunëtorët e miqtë të shumtë të Ahmetit, sot po shprehin dhimbjen e tyre më fjalët më prekëse.
Regjisori Naser Shatrolli, përmes një statusi në Facebook është munduar t’i ikë fjalës lamtumirë për mikun e tij të shtrenjtë, të cilin e konsideron vëlla.
“Po mundohem me i ik fjalës LAMTUMIRË!
Kam pirë kafen e mëngjesit në teatër me ty vllaçko për 20 vite!
Zot, sa i vetmuar po ndjehem sot!
Baleti i Kosovës sot e paska ‘humbur’ çelësin kryesor të derës së saj.
Megjithatë, LAMTUMIRË miku im!
Do të mbetesh logo e Baletit Kombëtar të Kosovës!”, shkruan Shatrolli. / KultPlus.com