6 Maj, 2022 - 10:00 am
Më datë 6 Maj, në shume treva Shqiptare festohet dita e “Shën Gjergjit” festë kjo shumë e vjetër me siguri që nga koha e paganizmit. Me anë të kësaj feste, shënohet fillimi verës, për dallim nga “Shën Mitri” fillimi i dimrit. Në të kaluarën janë kryer shumë rite duke përfshirë, mbledhjen e degëve me gjethe të njoma dhe vendosja e tyre nëpër hyrje të shtëpisë, ahurit etj. mbledhja e barishteve të ndryshme, me të cilat janë ushqyer kafshët, me qëllim që të jenë sa më të shëndetshme. Të gjitha këto ceremoni janë kryer në natën e “Shën Gjergjit”, më 5 Maj.
Ky asht tregimi për festën e Shingjergjit, festë të cilën e festojnë kryesisht romët, ashkalitë dhe egjiptasit. Këtë tregim e tregon personalisht Hysnije Jaha në mënyrën si e festojnë ashkalitë këtë festë.
Shëngjergji është nji festë për ne sikurse Bajrami për muslimanë e Krishtlindja për serbët e katolikët. Nji javë para Shingjergjit e pastrojmë shtëpinë, i lajmë të gjitha tepihat, perdet, tona çka ka me u la.
Blehet kingji tre-katër ditë përpara, mahet mirë e f’mija gëzohen e lozin me të.
Natën e Shingjergjit prehet kingji.
Kur o kon mullini, shkojshim me mar ujë, pak hitha, pak bari, e rujshim ka ni vo të velikdanit, e në sabah ditën e Shingjergjit i stërpikim fmitë me u çu heret kurse gjatë ditës i lajmë fmitë. Ujin e mullinit, barin, hithat dhe votë i qesim krejt në nji kofe, i lajmë f’mitë dhe pastaj i veshim me tesha t’ reja që iu kemi ble dy tre ditë përpara Shengjergjit. Dytën ditë të Shingjergjit hahet silla e Shingjergjit.
Aty mbledhen familja e madhe, djemtë, nipat, mesat e rejat.
Mas dreke shkojmë te familjet tona me bo për hajr Shingjergjin. Aty na presin me omëlcina dhe soka. Tretën ditë të Shingjergjit u veshim edhe na t’ mdhejt, dilshim n’ park ku bojke muzika, k’cejshim, lujshim edhe na në mënyrën tonë deri vonë. Ma së shumti e majnë gabelt (emërtim i ashkalive për romët).
Ata prejnë ka dy-tre kingja dhe e majnë në mënyrë të vet ku shpenzojnë shumë pare për Shingjergj.
Kjo festë mbahet katër ditë. / KultPlus.com
(Tregim i marrë nga një botim i vitit 2012, me titullin PËRMBLEDHJE E TREGIMEVE TË SHKURTËRA RRËFIME TË URTA – Ky dokument është prodhuar brenda kornizës së projektit të përbashkët ‘BE/KE – Përkrahja për Promovimin e Diversitetit Kulturor në Kosovë’.)