3 Maj, 2023 - 12:35 pm
Vargmalet e Ballkanit Perëndimor mbajnë mbi shpinë një pjesë të historisë evropiane, shkruan Siobhan Warwicker për revistën e njohur ”National Geographic”.
”Tani, një shteg i ri ecjeje në distanca të gjata shpreson të ndajë trashëgiminë e kësaj zone që dikur ishte e mbyllur për botën për shkak të një sërë konfliktesh në shekullin XX.
Vargmalet prej rreth 300 kilometrash përfshijnë Kosovën, Shqipërinë dhe Maqedoninë e Veriut dhe i drejtohen një prej liqeneve më të thellë dhe më të vjetër të kontinentit.
Në rreth 2 700 metra lartësi gjejmë një ”mbretëri” të mjegullt majash të pafundme të gjelbra, të mbushura me kullota dhe të kryqëzuara nga përrenj.
Shumë nga rrugët e përdorura sot u ndërtuan fillimisht nga karvanet romake në shekullin II para Krishtit.
Ndërkohë, një projekt i quajtur ”High Scardus”, i konceptuar në vitin 2016, vetëm tani ka përfunduar plotësisht për ekskursionistët.
Vendet e bukura e spektakolare tashmë janë skeduar. Shtëpizat janë shndërruar në bujtina.
Gjatë luftërave jugosllave të fundit të shekullit XX, kreshtat e Ballkanit Perëndimor siguruan pika strategjike vëzhgimi ushtarake. Në konfliktin që pasoi në Kosovë (1998-99), minat tokësore ishin të përhapura përgjatë kufirit alpin Kosovë-Shqipëri.
Kosova u shpall e lirë nga minat tokësore në vitin 2001, por malet ishin ende larg turistëve.
Dekada më vonë, gjërat po ndryshojnë.
”Ne duam që njerëzit ta dinë se Kosova ka një të kaluar të trishtuar dhe të vështirë, por ne tani po punojmë shumë që të bëhemi destinacion për udhëtarët, për t’i treguar botës natyrën dhe kulturën tonë të mahnitshme”, thotë Taulant Hoxha, i cili ishte fëmijë në qytetin e Prizrenit gjatë luftës së Kosovës.
Ai tani është një sipërmarrës i shërbimit të guidave malore ”Super Xplorers” dhe gjithashtu i përfshirë në krijimin e projektit ”High Scardus”.
Duke kaluar disa nga malet më pak të vizituara të Evropës, shtegu kalon nëpër gjashtë parqe kombëtare, dy në Maqedoninë e Veriut, një në Kosovë dhe tre në Shqipëri.
“Qëllimi ishte të krijonim ndoshta shtegun më të mirë në botë me vende dhe mjedise të shumta”, thotë Ekrem Hyseni, një menaxher projekti për GIZ, një filial zhvillimor ndërkombëtar i qeverisë gjermane që ndihmoi në zhvillimin e shtegut.
Për të eksploruar të gjitha vendet rekomandohet që të përfundohen të 20 fazat e ecjes me udhërrëfyes, por do të duheshin 20 ditë. Për më tepër, çdo vend lejon vetëm qytetarët vendas të punojnë në shteg, kështu që alpinistët duhet të punësojnë udhërrëfyes të shumtë gjatë udhëtimit.
Shtegu fillon në Maqedoninë e Veriut, në shtëpizën malore të Ljubotenit, e restauruar së fundmi, një shtëpizë alpinistësh e viteve 1930, e vendosur në fshatin e vogël Staro Selo.
Nga këtu, itinerari gjurmon kufirin mes Kosovës dhe MV në malet e Sharrit, përpara se të të çojë në Brezovicë, një vendpushim skish në Kosovë.
Ekskursionistët ndjekin shtigjet e vogla, shpesh të ngatërruara nga tokat përgjatë brigjeve veriore të Sharrit.
Rruga vazhdon përmes fushave dhe pllajave deri në majën e malin e Korabit (2 750 metra), maja më e lartë si në Shqipëri.
Gjatë rrugës, bujtina si ”Sabriu” dhe ”Korabi” në Shqipëri mirëpresin udhëtarët për të përjetuar zakonet vendase dhe për të provuar djathë deleje dhe raki.
Faza e fundit i çon alpinistët përmes parkut kombëtar ”Galicica” të Maqedonisë së Veriut deri në Shën Naum, një manastir i famshëm në bregun e liqenit të Ohrit.
Rajoni i Ohrit është një nga 28 vendet globalisht që i është dhënë statusi i Trashëgimisë Natyrore dhe Trashëgimisë së UNESCO-s për liqenin 1,3 milionë vjeçar, një nga vendbanimet më të vjetra njerëzore në botë.
Në rrugëtim mund të gjenden edhe relike të tjera të historisë së shekullit XX të Ballkanit Perëndimor, si bunkerët antibërthamorë të ish-diktatorit Enver Hoxha në të gjithë Shqipërinë, një mitraloz në Maqedoninë e Veriut dhe strukturat e braktisura të stilit sovjetik në Kosovë.
Programet e trajnimit dhe grantet kanë ndihmuar në zhvillimin e bujtinave përgjatë shtegut dhe kanë nxitur interesin e aktorëve lokalë për të investuar në zonat rurale që rrethojnë shtegun.
”Pas vitesh planifikimi, zgjedhjes së shtigjeve, krijimit të rrugëve dhe bisedës me pronarët e bujtinave dhe tokave rreth shndërrimit në turizëm, tani më në fund ndihet si një realitet”, thotë Stephan Lieb-Lind, një nga ideuesit e projektit ”High Scardus”.
“High Scardus nuk është më një ide, por një projekt konkret”, shton ai./ atsh / KultPlus.com