2 Prill, 2024 - 4:00 pm
Nga Theron J. Damon
Shqiptari është europian: për më shumë se dy mijë vjet ka jetuar atje ku jeton tani – në fortesat e Epirit dhe Ilirisë, përtej Adriatikut paralel me thembrën e Italisë. Në fillim të shekullit të nëntëmbëdhjetë, shqiptarët u përzienë me fqinjët e tyre jugorë, grekët dhe ishin shtylla kurrizore e luftës për pavarësinë e Greqisë.
Bashkatdhetarët e Marko Boçarit emigruan të gjithë në Cefaloni, në brigjet e Greqisë, por afro 2 milionë shqiptarë më të pafatë jetojnë tashmë nën sundimin turk.
Sot shqiptarët, arabët, armenët, bullgarët, grekët, serbët dhe vetë turqit po vuajnë, siç ka ndodhur prej dekadash, nga plaga e sundimit turk.
Nga këta popuj të pafat, shqiptarët janë të parët që duhet të tërheqin vëmendjen e një bote joegoiste.
As rrahjet me thupra, as arma, as topi, as mërgimi, as burgimi, as edhe vetë vdekja nuk i tund nga vendi”.
Folësi ishte një shqiptar i ri në moshë që një pjesë të shkollës e kishte bërë në SHBA. Ai është rikthyer tani në vendin e tij, ku po punon me zell të madh për popullin e tij.
Eshtë një prej të paktëve njerëz të arsimuar në Shqipëri, por synon që brezi i ardhshëm të mos i numërojë me gishta burrat dhe gratë e arsimuara të Shqipërisë.
Fjalët e përmendura më sipër u paraprinë prej këtyre: “Për momentin, nga veriu në jug dhe nga lindja në perëndim të Shqipërisë, të gjithë klasat e njerëzve – muslimanë dhe të krishterë qofshin – kanë një dëshirë, pothuajse një pasion për arsimin kombëtar.
Të gjithë ata e kuptojnë që, ashtu sikurse në të kaluarën shpata ishte simbol i fuqisë, sot arsimi është perëndesha e fuqisë, dhe ata do të arsimohen, pavarësisht persekutimit”.
Shqiptarët janë vetëdijësuar për nevojën që kanë për qytetërimin dhe progresin perëndimor. Por, që nga dita e parë e miratimit të Kushtetutës së re otomane, turqit e rinj ishin të vendosur që qytetërimi duhej të vinte tek shqiptarët, vetëm pasi të kishte kaluar në një sitë turke dhe mohamedane.
Ky program nuk mund të pranohej nga shqiptarët, edhe sikur turqit e rinj të kishin qenë në gjendje ta vinin në zbatim.
Shqiptari është europian: për më shumë se dy mijë vjet ka jetuar atje ku jeton tani – në fortesat e Epirit dhe Ilirisë, përtej Adriatikut paralel me thembrën e Italisë.
Në fillim të shekullit të nëntëmbëdhjetë, shqiptarët u përzienë me fqinjët e tyre jugorë, grekët dhe ishin shtylla kurrizore e luftës për pavarësinë e Greqisë. Bashkatdhetarët e Marko Boçarit emigruan të gjithë në Cefaloni, në brigjet e Greqisë, por afro 2 milionë shqiptarë më të pafatë jetojnë tashmë nën sundimin turk.
Gjatë 125 viteve para zbulimit të Amerikës, republika krenare e Venecias kishte një supremaci dashamirëse mbi qytetet shqiptarë të bregdetit, dhe kështu që e vonoi me një shekull dominimin turk. Me rënien e Skutarit në Shqipëri dhe dëbimin e venecianëve nga turqit në vitin 1748, këta të fundit filluan sundimin e tyre – shekuj të tërë mashtrimi, bese të thyer dhe mizorie.
Rezultati i sundimit turk mund të përmblidhet me zhytjen më thellë të shqiptarëve në varfëri, supersticion, dhe etje për gjak, për shkak të terrenit pjellor që garantonin historia malore dhe tiparet primitivë. Përgjatë dy mijëvjeçarëve, valët dhe impulset e progresit nuk e kanë arritur shqiptarin, ose e kanë anashkaluar, duke e lënë të paprekur.
Hakmarrja praktikohet ende
Sot, ashtu si në të kaluarën, është e vërtetë që një në pesë malësorë flijohen prej hakmarrjes së tmerrshme, që vetëm qytetërimi mund ta çrrënjosë nga jeta e shqiptarit. Të qëllosh një person, edhe tinëz, është çështje e marrjes së gjakut.
Asgjë tjetër nuk mund ta kthejë nderin e plagosur. Nëse nuk vritet vetë vrasësi, atëherë një prej të afërmve duhet të jetë viktima, e kështu nis zinxhiri i pafund. Kur hakmarrja ka shkuar shumë larg, mund të blihet nëse ke para të mjaftueshme, ose mund të ndalet përmes disa prej kompleksiteteve të kodit të shqiptarit.
Askush nuk duhet të flasë për shqiptarin si njeri pa ligje. Ai zbaton në mënyrë skrupuloze atë që njeh dhe pranon: por, këta janë ligjet që i kanë dhënë natyra dhe zakonet, si dhe natyra e paraardhësve të tij shekuj më parë, të “kodifikuar” disi në shekullin 15, ndonëse edhe sot e kësaj dite nuk janë hedhur asnjëherë në letër.
Disa prej rregullave të çuditshëm që udhëheqin jetën e tij janë: Persona që e kanë prejardhjen nga një stërgjysh i përbashkët mashkull, përmes linjës mashkullore, e konsiderojnë njëri-tjetrin vëllezër, ose vëlla e motër, e si pasoja martesa brenda fisit përjashtohet.
Të rinjtë mund të betohen për vëllazëri, dhe kjo krijon një marrëdhënie që i nënshtron të dy, bashkë me pasardhësit e tyre të disa brezave, para të njëjtëve ligjeve martesorë që rregullojnë edhe lidhjet e gjakut.
Personat që kanë të njëjtin kumbar nuk mund të martohen, dhe ka dy lloj kumbarësh: ai i pagëzimit dhe ai i flokut. Kur një fëmijë, vajzë apo djalë, mbush 2 vjeç, flokët e tij që deri atë çast nuk janë prekur prej gërshërëve, priten me ceremoni. Prerjen e kryen kumbari, që më pas, nëse fëmija është i krishterë lë nga një tufë flokësh për secilën majë të busullës duke krijuar një kryq. Nëse është mysliman, tri tufa për të formuar një trekëndësh. Në rastin e hakmarrjes, burri nuk duhet prekur nëse shoqërohet nga një fëmijë apo një grua.
Personalitet i pathyeshëm
Sot, shqiptari është personaliteti më piktoresk në Europë. Megjithatë, po aq interesante sa tiparet e tij, është edhe e ardhmja e tij politike. Kohët e fundit është shfaqur vetëdija kombëtare shqiptare që refuzon të shtypet. Nën qeverisjen jonormale të turqve, racat e ndryshme të krishtera të Perandorisë, si armenët otomanë, bullgarët otomanë dhe grekët otomanë, kanë secila ekzistencën e tyre kombëtare, një shtet brenda shtetit, ndonëse gjithmonë të nënshtruar vullnetit të turqve. Shqiptarët, ndonëse në përgjithësi kanë zhvilluar një lloj besnikërie myslimane që u jep një pothuajse solidaritet me turqit, janë të vendosur që të kenë edhe ata një entitet kombëtar.
Ndonëse janë të mallkuar me prapambetjen që ka shoqëruar pak a shumë kudo besimin mohamedian, liderët e tyre e kuptojnë se nuk janë një racë orientale, por perëndimore. Se tiparet e tyre turko-mohamedianë janë një lustër, dhe se do të mjaftojë një brez me arsimin e duhur për të bërë kërcimin e madh përpara dhe për të zënë vendin e tyre mes racave të qytetëruara të gadishullit të Ballkanit.
Jo i papajtueshëm me nacionalizmin e ri shqiptar – madje mund të jetë arsyeja e tij – është fakti që shqiptari është një prej anëtarëve më individualistë të racës njerëzore. Po të mos kish qenë i tillë, ai do e kishte humbur shumë kohë më parë identitetin e tij, duke u shkrirë me popujt e ndryshëm që përgjatë kohërave u kanë ardhur rrotull maleve shqiptare. Pavarësisht sulmeve të vazhdueshëm të romakëve, gotëve, serbëve dhe bullgarëve dhe 350 viteve dominim të Turqisë, shqiptari e ka ruajtur individualitetin e tij të pathyeshëm. Crispi, burri i shtetit italian ka qenë me prejardhje shqiptare. Ai ishte pjesëtar i kolonisë së madhe të shqiptarëve në Sicili dhe Italinë e jugut, paraardhësit e të cilit, afro njëqind mijë, emigruan kur Turqia pushtoi Shqipërinë. Edhe sot e kësaj dite, shqiptarët e Italisë e ruajnë prejardhjen e tyre. Mosgatishmëria ose paaftësia e shqiptarëve për të ndryshuar individualitetin e tyre reflektohet tragjikisht në ekzistencën e vazhdueshme të sistemit fisnor shqiptar dhe grindjet e përhershme mes fiseve. Si rezultat, Shqipëria nuk ka mundur të paraqesë një front të bashkuar kundër një armiku të përbashkët.
Vetëm një hero i madh bashkues kombëtar ka dalë për shqiptarët – Skënderbeu. Ai vdiq në vitin 1467, pasi fitoi 21 beteja kundër turqve. Vdekja e tij e la Shqipërinë pa udhëheqës, dhe shqiptarët trima që nuk njihnin besnikëri apo ligj tjetër përtej atij të familjes dhe klanit, ranë në sundimin e Mehmetit II, pushtues i Kostandinopojës. Mehmeti mundi t’i shtypte, por jo t’i nënshtronte shqiptarët. As edhe sulltanët e mëvonshëm nuk kanë arritur ta plotësojnë këtë dëshirë të madhe. Më e mira që mund të bënin ishte t’i bënin për vete, dhe deri në ditën e fundit të tiranisë së Abdyl Hamitit, shqiptarët trajtoheshin si popull i veçantë. Hamiti ua bleu besnikërinë duke mos u vënë taksa, duke frenuar rekrutimin ushtarak dhe duke përzgjedhur më të mirët e këtyre malësorëve të ashpër si truprojat e tij personale.
Turqit e rinj ishin të pamëshirshëm
Kur pas vitit 1908, turqit e rinj kishin miratuar Kushtetutën e tyre dhe po përpiqeshin me shumë mundime të vinin rregull në Perandorinë otomane, trajtimi i Shqipërisë ishte një prej problemeve më delikatë. Duhej të ishte bërë më me kujdes. Përmes një trajtimi delikat, përmbushjes së premtimeve dhe shfaqjes se një simpatie të drejtë për aspiratat e një race injorante por shumë të zotë, turqit e rinj do të kishin qenë në gjendje të ngrinin dhe forconin në provincën e Shqipërisë një barrierë të padepërtueshme ndaj agresionit europian. Në vend të kësaj, ata kanë ndjekur një rrugë që është përshkruar siç duhet nga korrespondenti në Kostandinopojë i “Times”-it të Londrës, si politika e rulit me avull. Duke injoruar këshillat e çdo politikani me përvojë, turqit e rinj nxituan t’i “trajtonin” shqiptarët njësoj si fshatarët injorantë turq në Azinë e Vogël. Asnjë strategji tjetër nuk do të kish qenë më e pavend dhe më e destinuar të dështonte.
Shenjat e para te nje kundershtimi u dhane që ne vjeshtën e vitit 1909, por duhej të vinte pranvera e vitit 1910 që një revoltë të merrte përmasa serioze. Në 5 prill të atij viti, shqiptarët myslimanë të skajit verilindor të Shqipërisë rrëmbyen armët kundër qeverisë. Për pak ditë rebelët mbajtën Kaçanikun, por 50 mijë trupa turke u dërguan menjëherë në rajon dhe lëvizja u shtyp. Ajo pati një karakter lokal dhe nuk kishte organizim. Shqipëria si e tërë nuk ishte qëllimi i saj.
Megjithatë, turqit e rinj menduan se kishte ardhur koha t’u jepnin një mësim shqiptarëve të pabindur. Trupat që ishin mbledhur për të shtypur kryengritjen marshuan nëpër Shqipëri. Një divizion shkoi në perëndim, në Shkodër. Ata përshkuan rrugë malore që për breza të tërë ishin mbyllur për këdo që udhëtonte i shoqëruar nga një ushtar turk, sepse shqiptarëve nuk u pëlqente uniforma e autoritetit turk. Por tani malësorët, të zënë në befasi, do të çarmatoseshin. Pas shtypjes që kishin pësuar sivëllezërit e tyre, më të paktë në numër dhe të gjendur përballë automatikëve – një tmerr i pazakontë për shqiptarët e thjeshtë – nuk kishte shpresë për rezistencë. Armët e tyre – krenaria dhe zotërimet – iu morën, dhe shqiptarëve iu “dha një mësim” mizor. Një tjetër divizion i forcave turke marshoi në jug dhe penetroi në luginat paqësore të Shqipërisë.
Në Elbasan, udhëheqësit intelektualë të Shqipërisë së Re kishin hapur një shkollë normale. Ata po përpiqeshin të përgatisnin shqiptarët që të bëheshin mësues të bashkatdhetarëve të tyre injorantë në të gjithë vendin. Përdornin gjuhën shqipe dhe, sipas votimit të një kongresi shqiptar të një viti më herët, e shkruanin këtë gjuhë – një gjuhë europiane – me shkronja latine. Nën Abdul Hamitin, çdo përpjekje për të shkruajtur apo dhënë mësim në gjuhën shqipe ishte shtypur. Vetëm në shkollat e misioneve austriakë dhe italianë në veri të Shqipërisë, ku ofrohej propaganda austriake dhe italiane, dhe jashtë survejimit të Sulltanit, kishte qenë e mundur që shqiptarët të studionin në gjuhën e tyre.
Sa për një alfabet, politikanët austriakë që mbështesin punën misionare të priftërinjve austriakë dhe nuk pushojnë asnjëherë së çuari përpara skemat austriake, shihnin me dyshim nga një e ardhme për Shqipërinë, liderët e të cilës të mësuar në Itali apo Austri do të bashkoheshin nga një gjuhë dhe alfabet i përbashkët. Kështu u krijua një alfabet i gjatë dhe iu ofrua fëmijëve në shkollat e misioneve austriakë. Kjo do të ndihmonte për të krijuar të çara për të ardhmen, kur Austria shpresonte që do të trashëgonte këtë tokë dhe do të kishte të nevojshme të përdorte tiraninë e saj dinake për të austrianizuar shqiptarin.
Shkolla normale e Elbasanit, me alfabetin e saj latin dhe e çliruar prej propagandës së huaj ishte një rreze drite në errësirën e Shqipërisë. Ajo nuk kishte ndarje fetare – myslimanët dhe të krishterët ishin vëllezër pa dallim. Themeluesit kishin vetëm një qëllim, lartësimin e racës shqiptare. Ata nuk ishin revolucionarë në kuptimin politik të fjalës. Ata donin të bashkëpunonin me qeverinë e turqve të rinj, dhe vetëm kërkonin që zbatimi i kushtetutës së re të kishte diçka të përbashkët me premtimet e saj themelorë.
Por kur ushtarët turq erdhën në Elbasan në verën e vitit 1910, u shpall gjendja e jashtëzakonshme. Të gjithë ata që shiheshin se kishin lidhje me shkollën normale apo simpatizonin përparimin e saj u ndoqën, u sollën para autoriteteve ushtarakë dhe u rrahën në një mënyrë shumë mizore për t’u rrëfyer. Rrahja me thupra dhe kamzhik u zbatuan për shumicën e njerëzve të iluminuar në Elbasan. Financieri i shkollës normale u fshikullua përtej çdo imagjinate. Drejtori dhe shumë prej mësuesve u arratisën. Autoritetet ushtarakë kërkuan dhe rrahën personat përgjegjës për një telegram që ishte dërguar në drejtim të Kostandinopojës, ku kërkohej që mësimi në shkollat shqiptare duhej bërë në gjuhën shqipe dhe me gërma latine. Më tej ushtarët marshuan për të bërë punë të tjera “pasi kishin mbyllur atë shkollë dhe u kishin dhënë shqiptarëve një mësim për t’u mbajtur mend”.
Kryengritjet e shqiptarëve
Me kalimin e 1910, telashet nisën të shtohen për turqit në kancelaritë e Europës, sidomos për skandalin e orgjive të ushtrisë në Shqipëri dhe mbylljen e shkollës normale, ashtu sikurse dhe për çarmatimin brutal të të krishterëve në Maqedoni. Në Europë ekzistojnë gjithmonë disa palë, interesat politikë të të cilave mund të çohen përpara duke përkrahur të shtypurit. Dhe ndonëse ishin motive hipokritë ata që vunë në lëvizje shumë burra shteti europianë që ndihmuan për shfaqjen hapur të këtyre ngjarjeve, e vërteta e bëmave të turqve të rinj në Shqipëri dhe Maqedoni gradualisht u bë e njohur për të gjithë.
Turku i ri ishte shfaqur tamam si biri i babait. Udhëheqësit panë që kishin bërë një gabim, por ata nuk do ta pranonin dhe ngjarjet e mëvonshme kanë treguar se nuk ndërruan mendje. Në prill 1911 ndodhi një kryengritje e malësorëve në provincën e Shkodrës, në veriperëndim të Shqipërisë përgjatë kufirit me Malin e Zi. Revolta ishte një prej përpjekjeve të parakohshme dhe të pafata të një populli të dëshpëruar dhe trim, por të përçarë, për t’u hedhur kundër zgjedhës së patolerueshme. Në vend të shndërrohej në një revoltë të përgjithshme, kryengritja mbeti e kufizuar në skajin më verior të Shqipërisë.
Patriotët e vërtetë të të gjithë Shqipërisë i hedhin tutje dallimet fetarë dhe fisnorë kur gjenden përballë fakteve të mëdhenj të një trashëgimie të përbashkët dhe kundër një zgjedhe të përbashkët. Ata, pjesëtarët e arsimuar të racës së tyre, po luftonin fort vitin që kaloi për një përpjekje të përbashkët në kërkim të drejtësisë për të gjithë Shqipërinë. Fatkeqësisht, këta udhëheqës ishin të keqorganizuar, pa financime dhe pa përvojë. Ata nuk morën mbështetje prej pjesës më të madhe të fiseve myslimanë, shumë prej të cilëve, megjithatë kishin qenë kaq të çarmatosur saqë nuk mund të mendonin të bashkoheshin në një rebelim. Mirditorët katolikë, një fis i fortë në jug të Shkodrës kishin pak pushkë, të gjitha të vjetra dhe hezituan të vijnë në ndihmë të revoltës së malësorëve, deri kur ishte shumë vonë.
Mali i Zi ishte shtylla mbështetëse e kryengritjes, përmes mbështetjes që ai dhe qytetarët e tij i dhanë refugjatëve shqiptarë të cilët dimrin e mëparshëm kishin kaluar kufirin dhe që në pranverë u rikthyen në Shqipëri, gati për luftë. Në këtë mënyrë u “gropos” thika që për breza të tërë ishte hequr nga këllëfi mes sllavëve të Malit të Zi dhe shqiptarëve autoktonë.
Por, Mali i Zi u gjend rrezikshëm i përfshirë në çështjet shqiptare, në mospërputhje me diplomacinë europiane dhe sidomos mikun e vet, Rusinë. Kështu që, në fund Mali i Zi e la Shqipërinë në baltë. Pavarësisht këtij fakti, turqit u detyruan të bënin paqe me malësorët rebelë, duke u bërë atyre kaq shumë lëshime, saqë nisën të shfaqen ankesa nga popullsia myslimane e Shkodrës, që nuk ishte rebeluar.
“Cfarë! Ju i ofroni favore rebelëve”, thanë ata. “Po kush ju ka qëndruar besnikë, pavarësisht plagëve të vjetra”. Ishte njësoj si ankesa e djalit joplangprishës. Fatkeqësisht, turku nuk mundej të zbuste fëmijët e tij besnikë, ashtu siç bëri dikur babai çifut. Sa për marrëveshjen me malësorët, nuk dihej se sa do të zgjaste.
Shkollat vetëm do i lehtësojnë
E ardhmja e Shqipërisë varet jo vetëm nga vullneti i Austrisë, Italisë, Malit të Zi që mbështetet nga Rusia, i Greqisë dhe i vetë Turqisë, ku secili prej këtyre është i vendosur që të ketë pjesën e vet shqiptare të tortës. E ardhmja e Shqipërisë varet shumë nga sasia e arsimit që mund të vihet në zbatim përpara se të përcaktohet përfundimisht fati i 2 milionë banorëve. Me përjashtim të Znj Edith Durham, gruaja angleze që i ka shkelur vetë zonat më të egra dhe të rrezikshme të Shqipërisë, askush nuk e njeh më mirë këtë vend se sa Z. James D. Bourchier, që për një brez të tërë ka qenë korrespondent special i “London Times” në Ballkan. Artikulli i tij i jashtëzakonshëm për Shqipërinë në edicionin e ri të Encyclopedia Britannica, pasi flet për betejat e grupeve të izoluar të shqiptarëve konkludon: “Rritja e një ndjenje më të fortë patriotike duhet të varet nga përhapja e arsimit në popull”.
Nëse arsimi përhapet pa pengesa në Shqipëri, edhe shqiptarët do të fillojnë të kujdesen për vetveten. Shumë prej shqiptarëve të krishterë në qytetin e Shkodër janë arsimuar dhe kanë siguruar begati, falë italianëve dhe austriakëve. Ata i druhen sidomos fanatizmit të vëllezërve të tyre myslimanë, ndonëse në malet disa kilometra larg, mes familjeve të malësorëve injorantë, si feja e krishterë ashtu edhe ajo myslimane mund të zënë vend nën të njëjtën cati, dhe ritet e krishterë e myslimanë mund të kryhen edhe në një ndërtesë të vetme.
Disa herë autori i këtij artikulli ka pyetur shqiptarë myslimanë të arsimuar, të interesuar për kauzën e racës së tyre, përse nuk u kanë predikuar myslimanëve të Shkodrës dhe gjetkë vëllazërinë mes të krishterëve dhe myslimanëve. Pa hezitim, por me turp dhe me buzët shtrënguar, përgjigja ka qenë çdo herë e njëjta: “Eshtë e pamundur. Myslimanët janë injorantë. Në fillim duhet të arsimohen, pastaj do të kuptojnë”.
Pak përpara shpërndarjes së parlamentit, në janar 1912, një deputet shqiptar, njëri prej kryezëdhënësve të racës së tij dhe për momentin lider i rebelëve, deklaroi: “Nëse turqit vazhdojnë të të përbuzin joturqit, ata do e rrënojnë vendin e tyre. E them këtë sepse i dua turqit, ekzistenca e të cilëve është e nevojshme për ne”. Deputeti shqiptar fliste për popullin e tij.
Shqiptari ka frikë nga e ardhmja
Shqiptari ka frikë se mos, në vend që të sigurojë lirinë për të cilën është lutur dhe ka luftuar, malet e tij të shtrenjtë dhe luginat pjellore do të ndahen mes shteteve ndërluftues, dhe se mos ai absorbohet nga një racë e huaj. Austria kërcënon të vijë nga veriu. Italia kanos nga përtej brigjeve të Adriatikut. Këta janë dy armiq që shqiptarët i urrejnë më keq se sa turqit, pavarësisht shkollave, spitaleve dhe kishave që përfaqësuesit e tyre kanë ndërtuar në veriperëndim të Shqipërisë. Shqiptarët i tremben Austrisë dhe Italisë tamam si një polak profetik mund t’i jetë trembur tre grabitësve të tokës mëmë. Shqiptarët i druhen po kështu një konference europiane për këtë qëllim, se mos Mali i Zi dhe Greqia lejohen që të zgjerohen në kurriz të shqiptarëve. Alternativa ideale që ai do të dëshironte është një Turqi e mirëqeverisur, për të cilën ai do të jetë një prej “ledheve mbrojtes”.
Megjithatë, breza të tërë sundimi turk i kanë mësuar se nuk duhet të presë drejtësi nga turqit. Revolucioni i korrikut 1908 ofroi një rreze të përkohshme shprese, por errësira e dëshpërimit u rikthye menjëherë, më e zezë se më parë. Ndëshkimi me thupra, plumbi dhe qelia e burgut kanë qenë shpërblimi i vetëm pas kërkimit për “diçka më të mirë”. Eshtë e vërtetë që, shqiptarët që kishin qenë neglizhuar për shekuj të tërë nuk ishin të gatshëm që të pranonin me mirësi disa prej kushteve të “Konstitucionalizmit”. Fshatari injorant, që nuk ka paguar asnjëherë taksa dhe nuk është rregjistruar asnjëherë për shërbimin ushtarak, nuk e vlerësonte “barazinë” e re, që iu manifestua atij përmes pagesës së taksave ashtu sikurse të gjithë banorët e tjerë të Turqisë, si dhe për kontributin e kuotave të tij për martirët në tokat e largëta të Jemenit.
Shqiptarët kanë shumë gjëra për të mësuar. Arsimi mund të kishte ardhur tashmë përmes udhëheqësve të tyre të iluminuar.
Por turku budalla bëri të vetmen gjë që dinte të bënte – ai marshoi me ushtri drejt Shqipërisë. Si pasojë, në vend që të shfrytëzonte shanset e një besnikërie entuziaste, ai rrënjosi edhe më tej ndjenjat e kahershme të mosbesimit dhe urrejtjes.
Spekulimet për të ardhmen e Shqipërisë të çojnë vetëm në labirinte të papenetrueshëm, pasi problemi i Shqipërisë është i lidhur ngushtë me Cështjen e Lindjes, ajo që ka munduar Europën për breza të tërë. Lufta e Krimesë u luftua për ta zgjidhur atë, por në një formë më të komplikuar ajo u rikthye në luftën ruso-turke 1877-1878. Të dërguarit e Europës në Berlin në vitin 1878 djallosën Traktatin e Berlinit. A mos është shumë të shpresojmë që ka ardhur koha për daljen e një brezi më dashamirës diplomatësh? Megjithatë, Lindja e Afërt shpreson gjithmonë për një zgjidhje dhe për t’u dhënë fund kushteve që, me turqit e vjetër dhe tanime të rinjtë, po e bëjnë Perandorinë Otomane thjeshtë një legjendë.
Sot shqiptarët, arabët, armenët, bullgarët, grekët, serbët dhe vetë turqit po vuajnë, siç ka ndodhur prej dekadash, nga plaga e sundimit turk. Nga këta popuj të pafat, shqiptarët janë të parët që duhet të tërheqin vëmendjen e një bote joegoiste. / bota.al / KultPlus.com