Nazim Gruda zgjidhet zëvendëskryetar i Akademisë së Shkencave Bujqësore dhe Pyjore të Europës

11 Tetor, 2024 - 1:54 pm

Akademiku shqiptar Nazim Guda u zgjodh zëvendëskryetar i Akademisë së Shkencave Bujqësore dhe Pyjore të Europës.

Zgjedhja e tij në këtë detyrë u bë në takimin XII të Asamblesë së Përgjithshme të Unionit të Akademive Europiane për Shkencën e Aplikuar në Bujqësi, Ushqim dhe Natyrë (UEAA), ku u mbajt dhe simpoziumi shkencor shoqërues në datat 10-11 tetor 2024 në Bukuresht, Rumani.

Në certifikatën e firmosur nga kryetari i UEAA, prof.dr. Joan Jelev, cilësohet se akad. Gruda do të qëndrojë në këtë pozicion drejtues për dy vjet.

Gruda është anëtar i Akademisë së Shkencave të Shqipërisë. Ai është një nga specialistët dhe shkencëtarët më të shquar në fushën e hortikulturës në Shqipëri dhe në Europë.

Kryesia e Akademisë së Shkencave të Shqipërisë përgëzoi akad. Grudën për suksesin e arritur.

I njohur gjerësisht për studimet e tij në hortikulturë dhe si specialist në substratet bimore, akad. Gruda do të luajë një rol kyç në projektin për zhvillimin e hortikulturës urbane dhe “vertical farming”.

Akad. Gruda është autor i mbi 300 punimeve shkencore, prej të cilave 100 në Scopus dhe renditet si kërkues me punime me një indeks citimi shumë të lartë.

Edhe në vlerësimin e kryer nga ekspertët e Universitetit të Stanfordit në SHBA vitet e fundit ai renditet në 2 % të shkencëtarëve më me ndikim në “World’s Top 2 per cent Scientists”; ndërsa sipas indeksit-h të “Google Scholar” për hortikulturën, në 10 shkencëtarët më të suksesshëm të Europës./atsh/KultPlus.com

Të ngjajshme