18 Shkurt, 2022 - 2:40 pm
Konkursi i fotografisë “Colours of Albanians” që çeli siparin nëntorin e kaluar, u përmbyll dje në Prishtinë, në ditën e Pavarësisë së Kosovës, me një ceremoni solemne të ndarjes së 10 çmimeve fituese.
Mbi 5 mijë fotografi qenë pjesë e konkursit, që për herë të parë erdhi si organizim i përbashkët mes Ministrisë për Evropën dhe Punët e Jashtme të Shqipërisë dhe Ministrisë së Punëve të Jashtme dhe Diasporës së Kosovës.
Tema e CoA-s, këtë vit ishte “Gjurmë Identitare”. Juria profesionale prej 7 anëtarëve nga Kosova dhe Shqipëria, zgjodhi fotografitë fituese për kategoritë: Portret Identitar dhe Familje, Kulturë dhe Art, Stil dhe Modë, Bashkëjetesë Fetare, Traditë, Zakone, Festa, Peizazh dhe Turizëm, Arkitekturë, Sport dhe Rekreacion.
Për herë të parë u dha një çmim i veçantë për diasporën.
Ngjyrat e shqiptarëve” (Colours of Albanians 2022), është një koleksion fotosh dhe videosh, të bukurive të vendit tonë të shqiptarëve. Këtë vit një nga risitë ishte edhe fakti që futen edhe videot.
Ky konkurs nuk ka qenë i ri për Shqipërinë, ka nisur në vitin 2015-2019. Për fat të keq prej pandemisë vitin e shkuar nuk u organizua dot. Ndërkohë që këtë vit, me një emër të ri, “Colours of Albanians”, sepse u zhvillua në kuadër dhe të protokollit zbatues në fushën e diplomacisë kulturore midis dy ministrive të jashtme të Shqipërisë dhe Kosovës.
Ky konkurs u lançua në 26 nëntor në kuadër dhe të takimit të dy qeverive të Shqipërisë dhe Kosovës./ atsh/ KultPlus.com