14 Dhjetor, 2022 - 2:05 pm
Në një atmosferë të jashtëzakonshme rinore, janë ndarë çmimet e Festivalit Teatror “Hapat”, i mundësuar nga Fondi i Teatrit për të Rinj, i Ministrisë së Kulturës.
14 shfaqjet teatrore që u realizuan nga ky fond u finalizuan me pjesëmarrjen në festivalin “Hapat” që u zhvillua nga data 30 nëntor deri më 13 dhjetor.
“Mes aq shumë talentesh që mbushën teatrot jo vetëm në Tiranë, por edhe të tjera qytete të Shqipërisë, u zgjodhën më të mirët”, shkroi ministrja e Kulturës, Elva Margariti, në rrjetet sociale.
Aktori i ri më i mirë u zgjodh Urim Aliaj për interpretimin në shfaqjen “Koloneli Zog”, ndërsa aktorja më e mirë, Algiona Aga, për interpretimin në shfaqjen “Koncerti”.
Çmimin për regjinë më të mirë e mori Ina Morinaj për shfaqjen “Muji dhe Halili”, ndërsa si shfaqja më e mirë, u vlerësua “Kjo rinia jonë” me regji të Silvio Goskova.
Fondi i Teatrit për të Rinj, ishte iniciativë e Ministrisë së Kulturës në bashkëpunim me Teatrin Kombëtar Eksperimental “Kujtim Spahivogli”. Fondi i Teatrit për të Rinj, është një mbështetje e Ministrisë së Kulturës për të gjithë talentet e reja të arteve skenike, deri në 35 vjeç.
Përmes këtij fondi prej 10 milionë lekësh, në vitin e dedikuar të Tiranës si Kryeqytet i Rinisë, u synua nxitja dhe zgjerimi i hartës kulturore, duke e shtrirë gjeografikisht këtë fond e duke aktivizuar krijuesit dhe interpretuesit e rinj dhe adresuar ata të punojnë dhe sigurojnë mbarëvajtjen jo vetëm në infrastrukturën e teatrit në Tiranë, por edhe në Korçë, Shkodër, Vlorë, Durrës, Fieri, Elbasani edhe Pukë./atsh/ KultPlus.com