Ndahen çmimet e Konkursit Ndërkombëtar “Wanderlust in Albania 2”, promovim Shqipërisë turistike

24 Prill, 2025 - 9:30 pm

Agjencia Kombëtare e Turizmit dhe Ministria e Turizmit dhe Mjedisit organizuan sot edicionin e dytë të Konkursit Ndërkombëtar të Fotografisë dhe Videove Reels “Wanderlust in Albania 2”.

Konkursi Ndërkombëtar i Fotografisë dhe Videove Reels “Wanderlust in Albania” rikthehet për të dytin vit, pas suksesit të edicionit të parë dhe vjen si një mundësi e shkëlqyer për të zbuluar bukuritë e Shqipërisë përmes syve të vetë udhëtarëve dhe vizitorëve me fotografi dhe video reels që ata kanë realizuar gjatë udhëtimeve të tyre në Shqipëri.

Fotografë dhe videografë (profesionistë dhe amatorë) nga Shqipëria dhe 36 vende të botës sollën edhe këtë edicion, imazhe dhe filmime të mrekullueshme, që shpalosin Shqipërinë përmes bukurive të natyrës dhe të trashëgimisë kulturore e historike.

Në këtë edicion bie në sy pjesëmarrja nga vende të largëta dhe interesante, si Mauritius, Kolumbia, Uruguaj, Indonezia dhe të tjera.

Pjesëmarrësit në konkurs kanë ngarkuar 5504 materiale në website zyrtar të konkursit
www.wanderlustinalbania.al në kategoritë: Peizazhe; Foto panoramike; Monumente dhe Site arkeologjike; Folklor; Artizanati dhe Zejtaria; Agroturizëm dhe Kulinari; Eventet e aplikacionit TEA; Ekoturizmi dhe Turizmi sportiv; Arkitekturë; Foto-reportazh; Animacion.

Risi e këtij edicioni të Konkursit “Wanderlust in Albania” është kategoria CGI  (Computer Generated Imagery), duke integruar artin dixhital dhe animacionin në promovimin e turizmit shqiptar. Kjo është një mundësi e përkryer për artistët dhe krijuesit të përdorin teknologjinë dhe kreativitetin për të krijuar imazhe dhe animacione që mund të nxjerrin në pah bukuritë e Shqipërisë për të tërhequr turistë nga e gjithë bota.

Kategoria CGI ofron mundësi pafund për të krijuar vizuale me peizazhe natyrore, monumente historike, apo edhe pjesë të kulturës dhe traditave shqiptare, duke i dhënë një dimension modern dhe tërheqës.

Juria e konkursit përbëhet nga pesë profesionistë, shqiptarë dhe të huaj. Kryetar i jurisë është Albes Fusha, i cili aktualisht mban postin e drejtuesit të Departamentit të Fotografisë në Universitetin e Arteve në Tiranë, ku kontribuon në formimin e brezave të rinj të fotografëve shqiptarë.

Fituesit u nderuan për kontributin e tyre të jashtëzakonshëm në promovimin e Shqipërisë turistike me plot 40 çmime speciale.

Në këtë edicion janë ndarë çmime për 33 fitues për 11 kategori të cilët u shpallën “Kontribues të Promovimit të Turizmit të Shqipërisë”. Po ashtu 4 fitues u nderuan me titullin “Ambasadorë të Turizmit Shqiptar” dhe nga votimi online i publikut u përzgjodhën 3 fitues.

Nga totali i materialeve të paraqitura në konkurs, 800 fotografi dhe 100 video reels të përzgjedhura do t’i shtohen fondit të Agjencisë Kombëtare të Turizmit dhe do të përdoren në materialet promocionale të Shqipërisë turistike duke përfshirë revista, albume, fletë informuese, broshura si dhe spote publicitare.

Më poshtë renditen shtetet pjesëmarrëse në këtë edicion sipas numrit të pjesëmarrësve:

1. Kosovë 74
2. Austri 4
3. Francë 7
4. Gjermani 11
5. Zvicër 1
6. Irlandë 1
7. SHBA 11
8. Britani e Madhe 7
9. Slloveni 2
10. Sllovaki 1
11. Portugali 3
12. Poloni 4
13. Republika Çeke 5
14. Marok 1
15. Suedi 1
16. Kolumbi 1
17. Spanjë 1
18. Brazil 1
19. Hungari 1
20. Mauritius 1
21. Australi 1
22. Serbi 1
23. Holandë 5
24. Indonezi 2
25. Itali 5
26. Greqi 1
27. Izrael 2
28. Uruguaj 1
29. Mali i Zi 2
30. Bjellorusi 1
31. Maqedoni e Veriut 1
32. Turqi 2
33. Finlandë 1
34. Argjentinë 1
35. Bullgari 1
36. Kanada 1

/ KultPlus.com

Të ngjajshme