21 Qershor, 2024 - 6:09 pm
Në Ditën Botërore të Muzikës, është bërë ndarja e çmimit për veprimtari jetësore “Niketë Dardani” dhe çmimet e tjera vjetore në fushën e muzikës për vitin 2023.
Në ambientet Shoqatës së Kompozitorëve, këto çmime i ndau ushtruesi i detyrës së drejtorit të Filharmonisë së Kosovës, Dardan Selimaj.
Bazuar në propozimin e Jurisë profesionale në përbërje nga kompozitorët Baki Jashari – kryesues dhe anëtarët Valton Beqiri dhe Drinor Zymberi, Çmimi Kombëtar për Veprimtari Jetësore “Niketë Dardani” iu nda kompozitorit Lorenc Antoni (post mortem), të cilin e pranoi Violeta Lekaj-Mehmeti, mbesa e tij.
Çmimi për vepër orkestrale – simfonike dhe koncertante iu nda kompozitorit Kreshnik Aliçkaj për veprën “Koncert për Violinë dhe Orkestër”.
Çmimi për vepër kamertale iu nda kompozitorit Lum Halabaku për veprën “Rush Hour 2”, të cilin çmim e pranoi babai i tij, Menderes Halabaku, ndërsa për orkestër harkore çmimi iu nda edhe kompozitorit Ersan Januzi për veprën ‘Shifting Horizonts” për septet.
Çmimi për vepër korale iu nda kompozitorit Mendi Mengjiqi për veprën “Mercury” për kor mikst dhe kompozitores Dea Ahma për veprën “Mors” për soprano solo, tri kore antifonare dhe narrator.
Çmimi për vepër solistike dhe duo iu nda kompozitorit Ardian Halimi për veprën “Momente” për violinë dhe piano, të cilin çmim e pranoi vëllai i tij, Astrit Halimi./MKRS/KultPlus.com