8 Dhjetor, 2021 - 8:04 pm
Në Kuvendin e Republikës së Maqedonisë së Veriut sot është ndarë çmimi shtetëror “Shën Klimenti i Ohrit” për vitin 2021.
Fitues këtë vit janë profesoresha universitare, Gjylymsere Kasapi për arritjet në fushën e edukimit dhe arsimit, shkrimtari Jovan Pavlovski, artistja muzikore Snezhana Anastasova-Çadikovska dhe Elena Donçeva – piktorja akademike – kostumografe në fushën e kulturës dhe artit.
Çmimet ua ndau akademiku Gazanfer Bajrami nga Bordi për ndarje të çmimeve shtetërore “Shën Klimenti i Ohrit”.
Në emër të fituesve u falënderua Snezhana Anastasova-Çadikovska e cila theksoi se ky çmim është mirënjohja më e lartë e cila mund të fitohet nga fusha e kulturës, artit dhe arsimit në shtetin tonë, sepse ajo e mban emrin e Shën Klimentit të Ohrit.
Në ndarjen e çmimeve morën pjesë presidenti Stevo Pendarovski, kryetari i Kuvendit Talat Xhaferi, ministrja e Kulturës Irena Stefoska, ministra, deputetë dhe akademikë
“Urime për Prof. Dr. Gjulumser Kasapi, profesore universitare; Jovan Pavllovski, shkrimtar; Mr. Snezhana Anastasova Çadikovska, artist muzikor dhe Elena Donçeva, piktor akademik-kostumograf për Çmimin “Shën Klimenti i Ohrit” për vitin 2021, që është mirënjohja më e lartë për arritjet shumëvjeçare në fushën e edukimit, arsimit, kulturës, artit, shëndetësisë, mbrojtjes dhe avancimit të mjedisit njerëzor dhe veprimtarisë sociale me interes publik të Republikës së Maqedonisë së Veriut”, shkroi Xhaferi pas ndarjes së çmimeve./KultPlus.com