10 Janar, 2025 - 3:30 pm
Ndërroi jetë në moshën 79-vjeçare akademik emeritus Jani Vangjeli, botanist dhe specialist i florës së Shqipërisë.
Jani Vangjeli lindi në Tiranë, më 23 qershor 1945. Studimet e larta i kreu në Fakultetin e Shkencave të Natyrës, të Universitetit të Tiranës, ku dhe u diplomua në degën biologji në vitin 1967. Në vitet 1969-1982 punoi si pedagog në katedrën e Botanikës të Universitetit të Tiranës dhe prej vitit 1980 e deri në vitin 2007 ka punuar si kërkues shkencor në Institutin e Kërkimeve Biologjike, duke qenë edhe përgjegjës i Sektorit të Florës, gjatë viteve 1990-1993 dhe drejtor e kryetar i Këshillit Shkencor të këtij Instituti në vitet 1993-1998.
Në rolin e drejtuesit të Institutit hapi drejtime të reja shkencore në fushën e studimeve ekologjike të formacioneve bimore, të dinamikës së vegjetacionit etj.
Për veprimtarinë e tij të gjerë shkencore e të dalluar ai fitoi titullin profesor në vitin 1994 dhe u zgjodh anëtar i Akademisë së Shkencave të Shqipërisë në vitin 2008.
Me punimet e tij, akademik Jani Vangjeli ka dhënë kontribut për studimin e florës dhe të vegjetacionit, duke u përqendruar sidomos në studimin e bimëve të rralla dhe të kërcënuara, të biodiversitetit e të vegjetacionit potencial natyror. U nderua me çmimin më të lartë të Akademisë së Shkencave në fushën e shkencave natyrore-teknike me çmimin “Petrit Radovicka”.
Akademia e Shkencave u shpreh përmes rrjeteve sociale se, me ndarjen nga jeta të akademik emeritus Jani Vangjelit, Akademia humbi një nga anëtarët e vyer të saj./ KultPlus.com