10 Gusht, 2020 - 7:29 pm
Një nga pionierët e Cirkut shqiptar, Kosta Papanikolla është ndarë sot nga jeta. Ai i takon brezit të themeluesve të Cirkut në Shqipëri.
Bashkë me të madhin Telat Agolli ata hodhën themelet e këtij arti duke bërë për vete publikun shqiptar përmes shfaqjeve të shumta me nivel të lartë artistik edhe ndërkombëtar.
Papanikolla është shquar për nivel të lartë interpretimi të numrave akrobatikë, në zhanre të ndryshme të cirkut. Në vitin 1959 me në krye të madhin Telat Agolli u realizua një shfaqje të plotë cirku të titulluar “Shkopi Magjik” duke e kthyer këtë moment edhe me krijimin zyrtarisht të Cirkut Shqiptar, një pjesë e rëndësishme dhe me vlerë e kulturës dhe artit tonë kombëtar.
Kosta Papanikolla lindi në Elbasan më 11.05.1932. Ai u aktivizua dhe debutoi në disa profile të cirkut duke realizuar numra xhonglerimi, numra ekuilibri me trungje, me bambu dhe shkallë, numra në ajër, numra si prestigjator etj. Ka kryer specializimi njëvjeçar në Kinë në vitet 1975-1976. Ka kryer arsimin e lartë profesional në Institutin e Kulturës fizike “Vojo Kushi”.
Me përvojën e tij ai dha një kontribut të madh si mësues në Studion e parë të fëmijëve të ngritur në Cirk në vitet 1976-1980 duke përgatitur një brez të rinj të talentuar në këtë lloj arti. Madje në shfaqjen e parë “Shpërthime rinore” ai ishte udhëheqës artistik. Është dekoruar me urdhërin “Nam Frashëri” i Klasit të parë dhe të dytë. Deri kur doli në pension (1983) ai ishte pjesëmarrës në të gjitha premierat e realizuara nga stafi.
Pas vitit 1990 ai u vendos me familjen në qytetin e Udinës në Itali.
Artisti Papanikolla do të kujtohet nga artdashësit e Cirkut të Shqipërisë dhe nga të gjithë kolegët që patën fatin të punonin me të si një njeri i i dobishëm në shoqëri dhe mjaft i gjindshëm për çdo situatë, ai ishte mjaft i butë si tip dhe plot humor, buzëgaz dhe plot fisnikëri.
Cirku Kombëtar i shpreh ngushëllime familjes. /KultPlus.com