9 Korrik, 2019 - 3:02 pm
Ndahet nga jeta në moshën 80-vjeçare, Maku Pone, i cilësuar nga kritika letrare edhe si ”ambasadori” i letrave të qytetit të Fierit. Maku Pone lindi në Fier më 1 Mars 1939, në një familje të njohur për kontributin në lëvizjen patriotike, arsimore dhe kulturore.
Arsimin 7 vjeçar e kreu në Pogradec dhe
Tiranë, të mesmin në qytetin e Shkodrës, ndërsa studimet e larta i kreu në Moskë
për inxhinieri nafte.
Maku Pone e nisi rrugën e letërsisë në fushën e poezisë, ku vjershat e para ai
nisi t’i botojë qysh në fillim të viteve 1950 në gazetat dhe revistat për pionier
e të rinj. Vëllimin e parë poetik të titulluar: “Kur buzëqeshin shokët” e botoi
në vitin 1969. Pas tij erdhën të tjerë libra si: “Yje mbi bar” 1973, “Në
brazdat e kësaj toke” 1975, “Lulëzim” 1982.
Gjithashtu në këto vite ai botoi edhe librat e letërsisë për fëmijë si: “Na thërret trumbeta”, “Postieri ynë”, “Ne jemi gjeologe”, “Pushimet dimërore”, “Naftëtarët e vegjël”, të cilët u pritën mirë nga kritika dhe lexuesit e vegjël. Po në këtë periudhë Pone provon edhe sfida të tjera në fushën e letërsisë siç ishin: proza e gjatë dhe dramaturgjia. Këtyre gjinive ai i kushtoi novelën “Shtëpia midis mollëve” dhe romanin “Trëndafilat e mesnatës”.
Pas një periudhë dhjetëvjeçare pune në naftë në vitin 1971. Maku Pone, do të shkëputet për të punuar ne fushën e arsimit dhe kulturës. Fillimisht si drejtor i shkollës së mesme të bashkuar në Patos, dhe më pas në vitet 1974-1975 si kryeredaktor në gazetën lokale “Drapër dhe Çekan”, ku u dallua për stilin e tij origjinal në reportazhe, analiza, fejtone, poezi, tregime, etj. Më pas në vitet 1983-1992 Pone nisi punën si libretist në Teatrin Bylis, ku shkroi dhe vuri në skenë dhjetë drama. Të tilla ishin “Shpërthimi”, “Fundi i sinoreve”, “Asgjë nuk harrohet”, “Atje në Ebro”, “Natë e pagjumë”, “Udhë e mbarë”, “Shokë e vite”, “Dosja 63”, “Shqetësimet e një mjeku”, “Një vajze e fyer”. Disa prej këtyre veprave skenike u vunë në skene nga Teatri Kombëtar i Tiranës, teatro të tjera të vendit, si dhe u radio dramatizuan në Radio Tirana.
Letërsinë e vijoi edhe me ndërrimin e sistemeve në vitet 90, ku
u shfaq sërish përpara publikut me disa vëllime poetike si: “Në portat e erërave”,
“Gjaku i verdhë”, “Lulediellit”, “Dëbora e Orientit”, që u pritën mirë nga
lexuesi, kritika dhe media.
Në vitet 2000 Maku Ponen e gjejmë si gazetar në median elektronike, në ekranin e televizionit rajonal Apolon, duke dhënë përsëri kontributin e tij njerëzor dhe intelektual..
Ndërkohë që me forcën e pasionin dhe këmbënguljen që e karakterizonte, shkroi edhe një sërë veprash. Të tilla ishin librat me poezi: ”Trilogji poetike” “Qiparisat e muzgut”, “Muzikë dimri”, “Një kafe me gurin”, Në kërkim të fytyrës, “Dritësi e terr”, “Zjarr i hidhur”, si dhe romanin “Motër e vëlla” e vëllimin me tregime “Balona me bedena”
Maku Pone ka lënë një trashëgimi letrare të konsiderueshme duke botuar 14 libra me poezi, 10 drama, 4 romane dhe 6 libra për fëmijë. /KultPlus.com