13 Prill, 2024 - 2:45 pm
Të drejtat riprodhuese janë vendosur përsëri në qendër të fushatës presidenciale në Shtetet e Bashkuara, ndërsa kandidati republikan Donald Trump u distancua nga vendimi i Gjykatës së Lartë të Arizonës që ndaloi pothuajse të gjithë abortet në këtë shtet. Ekipi i fushatës së Preidentit Biden thotë se përgjegjës për humbjen e të drejtës së abortit është zoti Trump.
Këtë javë Donald Trump bëri të ditur qasjen e tij mbi kufizimet për të drejtën për abort, por shmangu një qëndrim të qartë mbi propozimin për ndalimin e abortit në nivel kombëtar, që mbështetet nga anëtarë të njohur të partisë së tij.
“Shtetet do të jenë ato që do të vendosin përmes një votimi apo legjislacioni ose ndoshta të dyja. Vendimi i shteteve duhet të jetë ligji përfundimtar”, u shpreh Donald Trump, kandidati republikan për President.
Një ditë pas kësaj deklarate, Gjykata e Lartë e Arzionës vendosi ndalimin e pothuajse të gjitha aborteve, duke kërkuar zbatimin e një ligji të vitit 1864, që nuk kejon abortin as në rastet e përdhunimit apo të incestit.
Ish presidenti Trump tha se ky vendim shkon shumë larg.
“Siç e dini është e drejta e secilit shtet që të vendosë (për abortin). Kjo çështje do të rregullohet dhe jam i sigurt se guvernatorja dhe çdo kush tjetër do e kthejnë atë brenda kufijve të arsyeshëm, besoj se është një çështje që do trajtohet mjaft shpejt”, tha ai.
Guvernatorja e Arizonës, demokratja Katie Hobbs veproi me shpejtësi për të bllokuar prokurorët e shtetit që të hetojnë gratë që abortojnë si dhe mjekët që i ndihmojnë ato.
“Refuzoj që prokurorët ekstremistë të këtij shteti të përdorin këtë ndalim të së drejtës për abort për të burgosur gratë që kërkojnë kujdes mjekësor si edhe doktorët që e ofrojnë atë. Adiministrata ime ka zgjeruar qasjen ndaj kontraceptivëve në rang shtetëror”, tha guvernatorja e Arizonës Katie Hobbs.
Në Florida, Gjykata e Lartë e këtij shteti ka vendosur pro ligjit për ndalimin e abortit pas javës së gjashtë të shtatzënisë, i cili hyn në fuqi muajin e ardhshëm.
Ish presidenti Trump po përpiqet të sigurojë votuesit se shtetet mund të ndryshojnë vendime të tilla që nuk gëzojnë mbështetjen e opinionit publik, duke i kujtuar ata se ishte ai që i dha fund mbrojtjes kushtetuese të së drejtës për abort.
“Ne ia dolëm. Ishte diçka e jashtëzakonshme, një arritje e pabesueshme. E arritëm dhe tani vendimi u takon shteteve, që do të vendosin siç duan. Eshte vullneti i njerëzve. Kështu që Florida me shume gjasë do e ndryshojë ligjin. Arizona pa asnjë dyshim se po. Të gjithë e donin këtë dhe tani po çdo gjë është në vullnetin e qytetarëve. Ka qenë vërtet bukur”, tha zoti Trump.
Përmes një deklarate, ekipi i fushatës së Presidentit Joe Biden tha se: “Donald Trump është fajtor për vuajtjet dhe kaosin që po ndodh tani, duke përfshirë Arizonën, sepse ai me krenari përmbysi” mbrojtjen federale të së drejtës për abort”.
Arizona është një shtet i rëndësishëm në këto zgjedhje presidenciale, ku mbështetës së të drejtës për abort njoftuan javën e kaluar se kanë mbledhur firmat e mjaftueshme që në zgjedhjet e nëntorit të votohet edhe për një ligj për ta kthyer abortin në të drejtë kushtetuese në këtë shtet.
Ligjvënësi demokrat nga Arizona Greg Stanton, beson se shteti i tij dhe mbarë kombi gjenden në një pike kthese lidhur me të drejtën për abort.
“Këtë nëntor, në Arizona, qasja e sigurt dhe e ligjshme ndaj abortit do të jetë në fletëvotim dhe njerëzit nuk do të qëndrojnë indiferentë. Ata do të vrapojnë drejt qendrave të votimit dhe do të marrin pjesë masivisht në votime për të zgjedhur kandidatët që me të vërtetë, në mënyrë të vazhdueshme dhe të sinqertë mbështesin të drejtat e abortit”.
Në votime të ngjashme që u mbajtën në shtetet Ohajo dhe Kansas, në dy vitet e fundit, republikanët janë përballur me humbje./VOA/ KultPlus.com