25 Prill, 2022 - 12:34 pm
Duke nisur që nga data 1 qershor i këtij viti do të ndalohet prodhimi, shitja dhe importi i qeseve plastike për përdorim individual.
Qytetarët apo bizneset do të penalizohen me gjoba në rast se kapen duke përdorur qeset plastike.
Në kuadër të kësaj nisme me qëllim mbrojtjen e mjedisit nga mbetjet, ministrja e Turizmit dhe Mjedisit, Mirela Kumbaro ka sjell shembullin e artizanatëve nga Gjirokastra të cilët po dizajnojnë çanta me elementë të qytetit të gurtë.
“Kemi edhe shumë të tjera me riciklime”, thotë Alma, që i ka marrë masat për dizajnimin e çantave me elementë nga Gjirokastra.
“Torbat janë në modë, janë të bukura, janë shumëpërdorimshe”, shprehet ajo.
“Moda e fundit e riciklimit, se ne në Gjirokastër nuk lemë gjë të na vejë dëm”, shprehet Kumbaro.
Ministrja Kumbaro ka sugjeruar bizneseve të këtij sektori, të konvertojnë teknologjinë në prodhimin e qeseve të plehrave, apo qeseve të trasha që nuk dalin nga përdorimi, as nga prodhimi.
Ligji parashikon penalizime për shitësin dhe konsumatorin. Parashikohet ndëshkim me gjobë deri në 30 mijë lekë për konsumatorin dhe deri në 150 mijë lekë për prodhuesit e importuesit./ atsh / KultPlus.com