23 Dhjetor, 2023 - 4:15 pm
Gjatë kësaj jave DRTK Gjirokastër kreu ndërhyrje emergjente provizore, për të eliminuar rrezikun e shembjes, në urën e fshatit Bënjë. Ura e Bënjës është Monument Kulture, i kategorisë së parë.
Drejtoria Rajonale e Trashëgimisë Kulturore Gjirokastër njoftoi se, ndërhyrja përfundimtare për restaurimin e shpatullës së urës, do të kryhet pas krijimit të kushteve të duhura atmosferike dhe uljes të lartësisë të ujrave.
Bënja është një destinacion turistik në qytetin e Përmetit, i cili dallohet për vlerat kurative të burimeve termale, si edhe për peizazhet mbresëlënëse e monumentet e shumta të trashëgimisë kulturore. Në të dy anët e lumit Langaricë, ka burime të ndryshme me ujërat termale me bazë sulfurore.
Kjo zonë gjithnjë e më shumë po pret turistë vendas e të huaj, të cilët janë të pranishëm edhe gjatë stinës së ftohtë. Peizazhi është vërtet mahnitës: shpella, kanione, gjelbërim, pemë dhe shkurre aromatike.
Bënja me një pozitë të privilegjuar, është shpallur Qendër Historike që në vitin 2016./atsh/KultPlus.com