26 Prill, 2024 - 10:34 am
Specialistët e mirëmbajtjes së Drejtorisë Rajonale të Trashëgimisë Kulturore Berat janë duke kryer ndërhyrjen për mirëmbajtjen në çatinë e këmbanores së kishës “Fjetja e Shën Mërisë”, sot Muzeu Ikonografik “Onufri”.
Ndërhyrja konsiston në heqjen e tjegullave, zbërthimin e elementeve drusore të degraduar për t’i zëvendësuar ato me elemente drusore të tjerë, sipas të njëjtit konfigurim, duke ruajtur karakteristikat e kësaj çatie.
Kisha “Fjetja e Shën Mërisë” pozicionohet në një vend dominues të lagjes “Kala”, e ndërfutur midis banesave të shumta dhe që dikur përfshihej në kompleksin e mitropolisë, gjurmë të të cilit ruhen edhe sot. Nga datimi i ruajtur mbi një nga portat e naosit, kisha është rindërtuar në vitin 1797 dhe përbën një nga monumentet më përfaqësuese të arkitekturës pasbizantine në qytetin e Beratit.
Mjaft i spikatur është konservimi i mirë i ikonostasit me gdhendje druri dhe lyer me ar, i datuar në vitin 1806 dhe ku sot janë ekspozuar ikonat më të famshme të piktorëve më të njohur pasbizantinë në Shqipëri./atsh/KultPlus.com