Ndërhyrje rehabilituese në urën e Kollorcës në Gjirokastër

24 Nëntor, 2024 - 3:00 pm

Në urën e Kollorcës, monument kulture kategoria e parë, 4 km në juglindje të Gjirokastrës, kanë nisur punimet për rehabilitimin.

Ura e Kollorcës ngrihet mbi lumin Drino dhe lidhte qytetin me fshatrat rreth Suhës.

Punimet po kryhen nga Drejtoria Rajonale e Trashëgimisë Kulturore Gjirokastër në bashkëpunim me Institutin Kombëtar të Trashëgimisë Kulturore dhe me mbështetjen e  Ministrisë së Ekonomisë, Kulturës dhe Inovacionit.

Punimet që do të kryhen janë përforcimi i bazamentit të urës me konstruksion beton arme duke evituar gërryerjen e mëtejshme dhe rrezikun e shembjes të saj.

Ura e Kollorcës dallohet për madhësinë dhe finesën e realizimit teknik. Ajo përbëhet nga pesë harqe të mëdhenj me hapësira drite. Gjatësia totale e urës arrin 103 m, ndërsa lartësia maksimale nga niveli i ujit deri tek kreu i parapetit arrin 7,2 m.

Tre harqet e majta kanë formë segmenti, ndërsa dy harqet e djathta tentojnë nga forma e harkut lundër, por pa theksim në pjesën e kyçit.

Në këmbët midis harqeve janë hapur katër harqe të vegjël apo vrima lehtësuese të trajtuara me formë rrethore.

Për të realizuar një mbështetje më uniforme  e më solide, kontakti midis murit  dhe terrenit në taban është bërë nëpërmjet një jastëku me trarë të kryqëzuar, i cili eviton dhe gërryerjen e themelit të pilës.

Si në urën e mesit dhe këtu harqet e mëdhenj janë ndërtuar me rreshta dyfish gurësh. Në rreshtat e poshtëm të harqeve ruhen ganxhat metalike për mbërthimin e gurëve ballor të harkut.

Ura është e ndërtuar me gurë të zinj dhe mbushja me gurë gëlqerorë./ KultPlus.com

Të ngjajshme