27 Shtator, 2023 - 6:00 pm
Instituti Kombëtar i Trashëgimisë Kulturore njoftoi se ka nisur ndërhyrja restauruese në Kalanë e Beratit.
Aktualisht janë duke u bërë punime në kullat 11, 12 dhe 13 si dhe në kurtinat midis tyre, të cilat po i nënshtrohen punimeve restauruese.
Me investim të Buxhetit të Shtetit, nën mbikqyrjen e IKTK, ndërhyrjet restauruese në to përfshijnë konsolidimin e muraturës, përmes injektimit të llaçit hidraulik, si edhe konsolidimin e kreut të muraturës. Gjithashtu po plotësohen edhe zgavrat e krijuara nga shkëputja e gurëve në mure. Edhe mjedisi përreth po pastrohet e sistemohet.
Kalaja e Beratit qëndron që prej shekullit IV para Krishtit, majë një kodre, po aq madhështore sa edhe delikate, duke qenë si një kurorë e qytetit të lashtë. Nga oborri i fortifikuar i kalasë shihet i gjithë qyteti i Beratit, lumi Osum dhe ura e vjetër e Goricës. Një udhëtim në Berat nuk do të kishte kuptim pa vrojtimin e peizazhit nga lartësia e kalasë. E qarkuar me mure prej guri, me 24 kulla vrojtimi, Kalaja e Beratit është nga më të bukurat në Shqipëri. Nga romakët, ajo u quajt Fortesa e Arbërve ndërsa, në vitin 216 p.e.s, ajo u përmend me emrin e lashtë Antipatrea./KultPlus.com