“Nderi i Kombit” Avni Mula, këngëtar e kompozitor i shquar

29 Tetor, 2024 - 11:03 am

Më 29 tetor 2020 u nda nga jeta “Artisti i Popullit” Avni Mula. Në aktivitetin e tij të pasur koncertal, brenda e jashtë vendit, Avni Mula u dallua për nivelin e lartë të interpretimeve skenike.

Ai lindi në Gjakovë në vitin 1928. Studimet e larta për muzikë i kreu në Konservatorin “Çajkovski” të Moskës ku u diplomua si këngëtar lirik. Karrierën artistike e nisi menjëherë mbas kthimit nga Moska si solist në Teatrin e Operës dhe Baletit, duke realizuar rolet kryesore të repertorit operistik të kohës.

Mes roleve të shumta, Mula spikati me Figaron te “Berberi i Seviljes” të Rosinit, Onjeginin tek “Eugjen Onjegin” të Çajkovskit dhe Gjetën tek “Mrika” e Prenk Jakovës.

Veprimtarinë krijuese e nisi në gjysmën e dytë të viteve ’60, fillimisht në fushën e këngës e të romancës dhe më pas si autor i veprave të mëdha vokale-koncertale, kantata, poema vokale dhe skenike, ku veçohen opereta “Karnavalet e Korçës” dhe opera “Borana”. Firmën e tij mbajnë edhe shumë këngë të muzikës së lehtë mes të cilave “Valsi i lumturisë”.

Për kontributin e tij si kompozitor është vlerësuar me titujt “Artist i Popullit” dhe “Nderi i Kombit”./atsh/KultPlus.com

Të ngjajshme