8 Nëntor, 2021 - 8:30 pm
Presidenti i Republikës, Ilir Meta me propozimin e të gjithë krerëve të bashkësive fetare në Shqipëri, Kosovë dhe Maqedoninë e Veriut, vlerësoi sot gazetarin dhe publicistin e mirënjohur Ferdinand Samarxhi, me Dekoratën e lartë “Nderi i Kombit”.
Me anë të një ceremonie të veçantë solemne, ku ishin të pranishëm krerët e të gjitha bashkësive fetare, akademikë, profesorë, gazetarë, sipërmarrës, bamirës e shumë personalitete të tjera, Kreu i Shtetit i akordoi vlerësimin e lartë me motivacionin: “Për punën gjysmëshekullore plot përkushtim të rrallë, me dinjitet e integritet, për pasqyrimin e realiteteve të kohës, sfidave të saj. Njeriut që frymëzon besimin tek Zoti, tek harmonia, bashkëjetesa fetare, në mbrojtje të virtyteve njerëzore dhe në shërbim të atdheut dhe kombit.”
Meta u shpreh se, “do doja ta nisja me një falënderim për të gjithë udhëheqësit e komuniteteve fetare për propozimin e tyre prej kohësh, për të akorduar këtë vlerësim të lartë, për Ferdinand Samarxhi. Çdo ditë e jetës së njeriut është e çmuar, por ajo bëhet e vyer kur i përkushtohesh shoqërisë, atdheut dhe kombit. Ndaj edhe gjithë këto vlerësime të deritanishme të bëra, janë pikërisht për të vlerësuar shembullin që është zhvilluar më shumë se gjysmëshekulli, në shërbim ndaj shoqërisë, atdheut, kombit dhe në veçanti, ndaj zotit dhe njeriut.”
“Këtë preambul e gjejmë të përputhur me jetën dhe veprimtarinë publicistike të zotit Ferdinand Samarxhi, këtij intelektuali aktiv, që me talent, frymëzim dhe mirësi, ka spikatur në fushën e gazetarisë televizive”, tha Meta.
“Ferdinand Samarxhiu lindi në Elbasan në një familje adhuruese të arsimit dhe dijes, por dhe e shenjtërisë së Zotit. Nuk ishin të pakta rreziqet që ai kaloi në kushte të ushtrimit të profesionit, në një sistem monopartiak. Por ishte vullneti, dashuria për njerëzit dhe talenti, që e bënë Ferdinandin të hynte në epokën e re të demokracisë, përmes një origjinaliteti të jashtëzakonshëm dhe të spikatur, duke krijuar për herë të parë në vendin tonë kolanën e gazetarisë televizive të përkushtuar ndaj fesë dhe besimit, që kishte qenë rreptësisht e ndaluar”, u shpreh Meta.
“Në fillimet e para të punës dhe veprimtarisë intelektuale të fuqishme të zotit Samarxhi, spikat hapja për herë të parë e dritares në ekranin e Televizionit Shtetëror Shqiptar prej nga ku kundrohej me adhurim liria dhe besimi. Janë të lidhur me zërin dhe kronikat e veçanta të zotit Ferdinand Samarxhi, ekspozimi, prezantimi, njohja me emrat e shquar tashmë të kësaj bote si Hafiz Sabri Koçi, Kryepeshkopi Anastas, Dede Reshat Bardhi, Monsinjor Frano Ilia, Monsinjor Rrok Mirdita e deri tek Kardinali i ardhëm Dom Ernest Troshani”, tha Meta.
“Është i paharrueshëm portreti i At Zef Pllumbit, që gjithashtu erdhi përmes këtyre kronikave të Ferdinand Samarxhiut, në mozaikun e botës demokratike ku u shfaq përfundimisht me një aspekt jetik, origjinal por të nevojshëm më shumë se vetë kapitalizmi që kishte hyrë”, theksoi Meta.
“Ai është vlerësuar nga shumë institucione kombëtare e ndërkombëtare me tituj e çmime, nga Papa Françesku në vitin 2015, është cilësuar si ambasador i paqes dhe mbi të gjitha në këtë udhëtim të gjatë të jetës së tij gjysmëshekullor si gazetar, ai është i njohur prej të gjithë shqiptarëve jo vetëm në Shqipëri, por edhe në Kosovë, Maqedoninë e Veriut e Malin e Zi, të cilëve iu është gjendur si gazetar për të gjitha problemet sociale, fetare, shoqërore dhe kombëtare”, u shpreh Meta. / KultPlus.com