6 Qershor, 2020 - 4:56 pm
Që nga Shtetet e Bashkuara deri në Meksikë e në Spanjë, mijëra vetë u mblodhën për të nderuar afrikano-amerikanin George Floyd që vdiq ndërsa ishte i ndaluar nga policia në shtetin e Minesotës. Vdekja e tij ka shkaktuar protesta në gjithë botën dhe thirrje për t’i dhënë fund dhunës racore.
Akivisti i të drejtave civile, reverendi Al Sharpton i kërkoi turmës në një ceremoni përkujtimore për George Floyd-in të imagjinonte se si duhej të ishte ndjerë ai.
Në video, Floyd shfaqet nën pranga, me fytyrën përtokë dhe një oficer me gjurin në qafën e tij për mbi tetë minuta.
“Ndërsa numëroni tetë minuta, mendoni se ç’po përjetonte George, shtrirë në tokë për tetë minuta, duke u lutur për jetën e tij, sikur po bënte rrëfimin e vdekjes së tij. Kjo nuk mund të vazhdojë”, tha reverendi Sharpton.
Qindra të tjerë u mblodhën para kishës së Universitetit Verior Qendror të Mineapolisit, ku u mbajt shërbesa. Ishte e para mes tre ceremonive që do të mbahen në tre qytetet, ku Floyd lindi, u rrit dhe vdiq.
Jashtë Shteteve të Bashkuara mbi 1 mijë vetë u mblodhën në Barcelonë për të shfaqur solidaritetin e tyre.
Njerëzit ndezën qirinj dhe mbanin parrulla.
“Shpresoj që njerëzit tani të ngrihen dhe të thonë ‘nuk vazhdohet kështu’ dhe të dalin në rrugë. Po të shohësh historinë, njerëzit vërtet sollën ndryshim, dolën në rrugë, protestuan, rrëzuan udhëheqës nga pushteti. Dhe ne populli mund t’ua heqim njerëzve pushtetin që u kemi dhënë. Duhet vetëm të ngremë zërin”, tha bashkëorganizatori i protestës, Jonathan Courtney.
Edhe në qytetin e Meksikos, qindra dolën për të shprehur nderimet e tyre.
“Duhet t’u themi njerëzve se jeta e afrikano-amerikanëve është e vlefshme”, tha protestuesi Luis Ceron.
Organizatorët lexuan emrat e afrikano-amerikanëve të tjerë që ashtu si George Floyd vdiqën, pas incidenteve me policinë, ndërsa pjesëmarrësit u ulën në gjunjë në heshtje me qirinj në duar. zëri i amerikës /KultPlus.com