26 Gusht, 2024 - 3:33 pm
Shoqatat “Organizata Shqiptaria” dhe “Artistët për Artistë”, si dhe Instituti i Trashëgimisë Shpirtërore e Kulturore të Shqiptarëve të Shkupit kanë hapur një ekspozitë të veçantë dhe kanë organizuar manifestim tradicional, në nder të ditëlindjes së shenjtores “Nënë Tereza”.
Këto organizime u mbajtën në sheshin “Nëna Terezë”, të cilat qëllim kishin kujtimin dhe kontributin e saj për popullin shqiptarë.
Kryetari i organizatës “ Artistët për Artistë”, Veton Gusia ka thënë se populli shqiptarë duhet të ketë humanizmin e tij dhe atë ta ndaj me njëri-tjetrin, familjen, kombin e shtetin.
“Qëllimi i ekspozitës është që të kujtohet ditëlindja e Nënë Terezës, figurë e cila e kemi pasur shumë të rëndësishme gjatë kohës së okupimit. Është një figurë e cila tregon humanizmin. Duhet me qenë të vetëdijshëm që kjo figurë e cila ka qenë e rëndësisë se madhe gjatë okupimit, është e rëndësishme edhe sot, humanizmi që ne duhet me shpreh si popull, ndaj njëri- tjetrit me dashni ndaj familjes, kombit e shtetit”, ka thënë Gusia.
Ndërsa përfaqësuesi i shoqatës “Organizata Shqiptaria”, Basri Beka ka shtuar se trashëgimia e figurave të rëndësishme duhet të ruhet për brezat e ardhshëm.
“ Të ruajmë trashëgiminë e shenjtores tonë “Nënë Tereza”. Kjo ka rëndësi në brezat e ardhshëm që figurat e rëndësishme me dimension ndërkombëtarë, çfarë e kemi Nënë Terezën të përjetohen në vepra arti dhe të ruhet trashëgimia e tyre për brezat e ardhshëm”, ka shtuar ai.
Kurse, Don Lush Gjergji nga Ipeshkvia e Kosovës, ka thënë se përmes kontributit të Nënë Terezës bota po e sheh ndryshe popullin shqiptar.
“Nëna Terezë është përfaqësuesja më ë mirë, më e denjë dhe më e madhe, në të cilën Zoti shkriu të gjitha të mirat e asaj çka është tradita, kultura dhe qytetërimi ynë ilir, arbër dhe shqiptarë, “bukë, kryp dhe zemër”. Gonxhja ishte bijë dhe motër e jona. Përmes Nënë Terezës, bota po e sheh popullin tonë ndryshe”, është shprehur ai.
Ndërkaq, sonte Ipeshkëvia Prizren-Prishtinë në bashkëpunim me Institutin e Trashëgimisë Shpirtërore e Kulturore të Shqiptarëve-Shkup, organizon Akademi Solemne me rastin e ditëlindjes së Shën Nënë Terezës me të cilën hap “Ditët e Nënë Terezës”, që zgjasin deri më 5 shtator./rtv21/KultPlus.com