18 Janar, 2023 - 1:59 pm
Jeta Zymberi
Kosova dje mbeti pa një prej figurave më të rëndësishme të kombit. Akademikja, arkeologia, historiania, poetja e profesoresha Edi Shukriu sot “u përshëndet” për herë të fundit me familjarët, miqtë, bashkëpunëtorët dhe të gjithë ata që e deshën e e respektuan për veprimtarinë e pazëvendësueshme e për njeriun që ishte, shkruan KultPlus.
Vendi ku ajo ka kaluar shumë ditë të jetës së saj, Akademia e Shkencave dhe Arteve të Kosovës u bë hapësira ku për herë të fundit po mirëpriste Edin Shukriu.
Një intelektuale, arkeologe dhe historiane e njohur, Edi Shukriu dha një kontribut të rëndësishëm në fushën e arkeologjisë nëpërmjet kërkimit të saj novator dhe botimeve të shumta. Ajo u respektua gjerësisht për ekspertizën e saj në qytetërimet e lashta dhe përkushtimin e saj në ruajtjen e vendeve dhe objekteve historike.
Puna e madhe dhe përkushtimi, Edin e çoi në shumë vende të botës, ku kontribuoi në fusha të ndryshme. Ajo ishte një mësuese dhe mentore e përkushtuar për shumë studentë dhe arkeologë të rinj, të cilëve do t’u mungojë shumë udhëzimi dhe mençuria e saj.
Vdekja e Edi Shukriut është një humbje e madhe për komunitetin akademik dhe për botën e arkeologjisë, dhe jo vetëm. Ajo do të mbahet mend si një studiuese e shkëlqyer dhe një avokate e pasionuar për ruajtjen e trashëgimisë sonë kulturore.
Për të nderuar veprën e saj, AShAK sot mbajti mbledhje komemorative në nderim të kësaj figurë të rëndësishme dhe më pas po në këto ambiente u mbajtën edhe homazhe.
Salla ishte mbushur përplot më akademikë, familjarë, miq e artistë që kishin ardhur për t’i dhënë lamtumirën e fundit Edi Shukriut.
Kryetari i AShAK-ut, Mehmet Kraja mori fjalën para të pranishmëve i cili tha se kujtimi për Shukriun do të jetë i përhershëm, duke shtuar se ajo do t’u mungojë të gjithëve.
“Edi Shukriu do të lë një vend të zbrazët. Nga sot do të jemi më të varfër për një arkeologe, historiane të shkëlqyeshme, profesoreshë universitare e poete. Edi do t’u mungojë të gjithëve edhe atyre që e deshën dhe atyre që nuk e deshën. Por të jetojë mes nesh respekti dhe vepra e saj”, u shpreh Kraja.
Pas Krajës, fjalën e mori Gjyljeta Mushkolaj – sekretare e seksionit të Shkencave Shoqërore e cila u shpreh se me dhimbje dhe pikëllim të madh janë mbledhur për të kujtuar veprën e gruas të parë të Akademisë së Shkencave.
Biografia e gjatë dhe e jashtëzakonshme për Edi Shukriun u dëgjua me vëmendje nga të pranishmit e të jepte përshtypjen se po flitej për veprimtarinë e një grupi njerëzish e jo për një grua të vetme që kontributi i saj në shumë sfera e bëjnë një figurë unike.
Për të folur për një aspekt tjetër të Edit, tutje fjalën e mori Valtida Shukriu, mbesa e Edi Shukriut, e cila në emër të familjes tha se ndihen të nderuar me pjesëmarrjen e kaq shumë miqve në përkujtimin e saj.
“Faleminderit që jeni sot këtu të ndani dhimbjen me ne. Falënderoj Akademinë dhe të gjithë ata që po e bëjmë këtë ditë më të lehtë për ne. Për veprimtarinë shkencore dhe profesionale të Edit, për përkushtimin e saj në fushën e arkeologjisë e të historisë, folën kolegët dhe bashkëpunëtorët e saj. Si për të gjithë shoqërinë, edhe për ne, Edi Shukriu ishte një intelektuale e veprimtare. Këtu për çështjen e popullit tonë, aty për çështjen e gruas. Ne veç patëm rastin të përjetonim për së afërmi zjarrin e saj. Përpjekjet e saj këmbëngulëse e kokëfortë për emancipim e barazi, mes popujve e gjinive, përtej popujve e përtej gjinive”, u shpreh Valtida.
Pas këtyre fjalëve, të pranishmit u shpërndanë e shumë prej tyre po prisnin në ambientet e Akademisë për të bërë homazhe të cilat prisnin të fillonin pas pak. Gjatë këtyre minutave, për KultPlus ndau disa fjalë edhe politikania e njohur Edita Tahiri, njëherit mike dhe bashkëpunëtore e ngushtë me Edi Shukriun.
“Edi Shukriu ishte dhe mbetet ikonë e kombit shqiptar. Gjithë veprimtarinë ka synuar cilësinë prandaj edhe ka shkëlqyer në çdo aspekt, si atë kombëtar, akademikë, politik, diplomatik e letrar. Ishte një luftëtare e vendosur, jo vetëm patriote, ishte një shtyllë e lëvizjes për çlirimin e Kosovës dhe pavarësi. Unë e kisha mike të madhe të jetës por edhe bashkëpunëtore në të gjitha angazhimet e mija. Njihet edhe për luftën e saj për barazi gjinore. Në fund dua të them se Edi do të jetë udhërrëfyese për të gjithë gjeneratat e ardhshme. Njerëzit e mëdhenj nuk vdesin kurrë, ajo ka lënë trashëgimi dhe gjeneratat e reja do të frymëzohen dhe do të marrin shembuj nga veprimtaria e saj”, u shpreh Tahiri.
Ndërkohë Don Lush Gjergji e vlerëson humbje të madhe vdekjen e Edi Shukriut, një grua shumëdimensionale e cila la gjurmë në shumë fusha, shpesh herë duke qenë edhe nismëtare e themelimit të disa prej institucioneve kulturore e shkencore, sikurse edhe nismëtare e shumë kauzave.
“Është humbje e madhe, po na ikin njerëz të mëdhenj, një brez po na shkon, e me këtë humbje po na shkëputet edhe zinxhiri. Më e keqja që hallkat e këtij zinxhiri nuk po kem kujt t’ia dorëzojmë, na kanë mbet hallkat në dorë”, tha Gjergji.
Kur homazhet nisën, ambientet e Akademisë së Shkencave ishin përplot njerëz që kishin ardhur ta nderojnë figurën e Edi Shukriut. Nën shoqërimin e tingujve muzikorë dhe leximin e poezive, Edit po i jepej lamtumira e fundit e dhimbja po vërehej në secilën fytyrë që dilte nga salla.
Edi Shukriu vdiq të martën në moshën 73 vjeçare, përderisa varrimi do të bëhet sot, e mërkure në varrezat në Prizren. / KultPlus.com