Ndërthurja artistike e lëvizjeve të baletit klasik dhe basketbollit, BKK sjell premierën ‘Rebounds, a basketballet’

17 Shkurt, 2024 - 12:29 pm

Flonja Haxhaj

Në mbrëmjen e 15 shkurtit, Pallati i Rinisë në Prishtinë u transformua në një skenë të veçantë për një shfaqje të pazakontë, e cila kombinonte baletin klasik dhe basketbollin modern. Baleti Kombëtar i Kosovës prezantoi “Rebounds, a Basketballet”, një shfaqje unike që eksploronte ndërthurjen e lëvizjeve delikate të baletit me dinamizmin dhe intensitetin e basketbollit, shfaqje kjo e krijuar nga koreografët Friederike Lampert dhe Jochen Roller, shkruan KultPlus.

Shfaqja shënonte një moment të ri për artin në Kosovë, duke sjellë për herë të parë përpara publikut një kombinim të tillë të këtyre elementeve. “Rebounds, a Basketballet” nuk ishte thjesht një performancë, por një përvojë impresive që kaploi shikuesit me energjinë dhe emocionet e lojës së basketbollit, ndërsa po ashtu i ofronte një vështrim të thellë në botën e baletit.

Një aspekt i veçantë i kësaj shfaqjeje ishte pjesëmarrja aktive e publikut. Balerinët kosovarë e lejuan audiencën të qëndronte pranë tyre, duke u dhënë mundësinë për të qenë pjesë e kësaj eksperience unike. Ky interaktivitet krijoi një lidhje të ngushtë midis artistëve dhe të pranishmëve, duke e bërë përvojën edhe më të paharrueshme për të gjithë.

Pas shfaqjes, që u paraqit si një lojë imagjinare e basketbollit, për KultPlus, foli edhe koreografi Jochen Roller, i cili u shpreh se është mjaft i kënaqur me lojën e balerinëve të BKK-së, me të cilët patën edhe bashkëpunimin e dytë.

“Kjo shfaqje ndjek strukturën e lojës së basketbollit. Ajo ka për qëllim të tregojë ngjashmërinë e baletit me basketbollit. Gjetëm shumë ngjajshmëri dhe qëllimi ishte që t’i shpërfaqim ato, u shpreh Roller.

Ndërkaq koreografja Frieferike Lampert u shpreh se kjo shfaqje pati për qëllim që të bëjë bashkë elementet gati të ngjajshme të të dyja disiplinave.

“Në kushtet e fjalorit të lëvizjeve, ne kemi shumë paralele në kërcimet në balet dhe gjithashtu shumë kërcime në basketboll, prandaj ne tentuam që t’i bëjmë bashkë këto dy kërcime, për të krijuar diçka të re. Është një lojë basketbolli e imagjinuar, është një basketbalet”, u shpreh Lampert për KultPlus.

E një eksperiencë po ashtu e veçantë ishte edhe për balerinin Sead Vuniqi i cili tha se kjo shfaqje ishte sfiduese edhe për vetë balerinët, meqë luajtën në një disiplinë që nuk kishin performuar më herët, megjithatë, ai beson se u mirëprit nga publiku.

“Ka qenë një shfaqje ndryshe nga ato që jemi mësuar të luajmë deri më tani. Besoj se ka qenë një shfaqje interesante për publikun, sepse edhe ata e kanë pasur mundësinë që të jenë afër nesh. Besoj se ka qenë një shfaqje frymëzuese si për neve ashtu edhe për publikun. Procesi i provave ka shkuar shumë mirë, ne me koreografët njihemi që disa vite, pra është bashkëpunimi jonë i dytë. Gjatë kësaj periudhe kemi kaluar shumë mirë, e kemi një relacion shumë të mirë me ta”, tha Vuniqi, i cili më tej u shpreh se si balerinë, ata janë munduar që të japin më të mirën e tyre në mënyrë që edhe shfaqja të përcillet ashtu siç kanë kërkuar ata.

Ndërkaq, drejtori i Baletit Kombëtar të kosovës, Sinan Kajtazi, tha se ndjehet i lumtur që stili në drejtim të së cilit po shkon arti bashkëkohor, tani po e sjellin edhe para publikut në Prishtinë.

“Pas premierës së fundit për vitin 2023, pas shfaqjes së madhe të baletit klasik ‘Arrëthyesi’, e cila ka qenë shumë sfiduese për balerinët tanë, si në aspektin fizik ashtu edhe artistikisht, po besoj që shfaqja ‘Robounds, a basketballet’ ka qenë një freski për balerinët tanë, një shfaqje shumë inovative, një shfaqje në një dimesion në të cilin ne nuk jemi mësuar të performojmë, të tillë janë koreografët Friederike Lampert dhe Jochen Roller, me të cilët punojmë për herën e dytë. Përveç në Prishtinë, këtë shfaqje synojmë që ta shfaqim edhe në Zvicër e Gjermani. Po besoj se sonte, publiku ka pasur rast që ta shohë një shfaqje të stilit në drejtim të së cilit është duke shkuar sot kërcimi bashkëkohor”, tha Kajtazi për KultPlus.

Pjesë e kësaj shfaqje ishin balerinët: Aulonë Nuhiu, Behie Murtezi, Besarta Shaljani, Blerta Fanaj, Drilon Podrimçaku, Donmer Bilalli, Elmedina Berisha, Erza Limani, Fatmir Smani, Fisnik Smani, Ilir Krasniqi, Isa Beg Gjocaj, Jeta Musolli, Kreshnik Musolli, Leonora Rexhepi, Liridon Mziu, Marigonë Beha, Mërgime Morina, Muhamet Bikliqi, Rigon krasniqi, Sead Vuniqi, Vjollca Llugiqi dhe Vlora Prizeni./ KultPlus.com

Të ngjajshme