18 Janar, 2020 - 8:44 pm
Shkruan: Adri Nurellari
Ditët e fundit ka shpërthyer një valë gjithpërfshirëse e qytetarëve kundër një projekti të dy kompanive “KAWA Group” dhe “4M Group” , të cilat kanë planifikuar që të ndërtojnë një lagje të vogël me vila buzë liqenit të Badocit.
Përmasat që ka marrë kjo revoltë qytetare në rrjetet sociale, të lënë të mendosh se bëhet fjalë për ndonjë popull skandinav me vetëdije shumë të lartë ambientaliste e jo për shqiptarë, që mungesën e kësaj vetëdije e dëshmojnë më së miri me hedhjen vend e pa vend të mbeturinave. Në vetëvete, nuk ka asgjë të keqe që të kemi një rritje të ndërgjegjes mjedisore apo një subkulturë ekologjistësh të pranishme mes shqiptarësh. Përkundrazi, do ishte një pasuri që do shtonte diversitetin në vend. Mirëpo, fatkeqësisht , duke përjashtuar një pjesë aktivistësh ambientalist që në mënyrë konsistente kanë qenë të angazhuar për mbrojtjen e ambientit edhe më parë, shumica tjetër është përfshirë për të ndjekur trendin e radhës.
Kjo do të thotë se një pjesë e mirë janë individë protestues apo të indinjuar konstant që me të njëjtin zell e bindje dilnin kundër minishengenit, demarkacionit, ligjit të Trepçës, dialogut a gjithfarë teme që dilte në modë. Pra për shumicën më shumë bëhet fjalë për një sjellje konformiste turme (herd behaviour) që përqafon në unison një qëndrim pa e përpunuar mirë vetëm sepse ashtu duket momentalisht se është gjëja më në modë apo më e pëlqyeshme nga të tjerët për t’u bërë.
Fillimisht, duhet sqaruar se autori i këtij shkrimi nuk është e as pretendon të jetë ekspert i planifikimit urban apo inxhinierisë mjedisore, por thjesht dëshiron të ngrejë disa pikëpyetje ideologjike e politike mbi këtë qëndrim njëzëri moral me motiv ambientalist që po mbahet kundër një projekti urbanizimi. Pra ky shkrim synon të bëj të mundur që kjo çështje mos të shikohet vetëm me sy dikotomik bardhë e zi apo në mënyrë normative mirë e keq, por duke vënë re më shumë ngjyra për të kuptuar që realiteti është më kompleks për sa i përket marrëdhënies mes urbanizimit dhe ambientalizmit. Po ashtu synon ti kundërvihet mentalitetit të theksuar majtist, që dëshmohet nga lehtësia me të cilën masivisht njëzëri sulmohet një projekt jo-konvencional investimi privat.
Në kuadër të linçimit që po i bëhet nëpër rrjete sociale sipërmarrësve privatë si dhe pronarit të tokës ku do të ndërtohet ky projekt, nga qytetarë që “rastësisht një ditë të bukur gjetën veten me dell ambientalisti”, do të ishte mirë që të merreshin në konsideratë disa rrethana të tjera të rëndësishme për këtë projekt. Duke filluar nga marrja në konsideratë e sqarimeve të iniciatorëve të projektit. Arkitekti i mirënjohur dhe bashkëinvestitori i kompanisë 4M Group, Përparim Rama shpjegoi se projekti do të ndërtohej në përputhje me standardet më të larta ndërkombëtare të mbrojtjes së ambjentit duke synuar marrjen e certifikatës BREEAM 4 Star ( bëhet fjalë për metodën kryesore evropiane të vlerësimin, rankimit dhe vërtetimin të aspektik ekologjik të ndërtimeve). Kur Rama fitoi çmimin prestigjioz 2013 World Interior Award me dizajnin e Hammam Jazz Bar, nuk ngeli njeri nga segmentet urbane të qytetarëv pa u krenuar me të në Kosovë, ndërsa sot të njëjtët e trajtojnë sikur të kishte projektuar një “krim kundër natyrës”.
Pikëpyetja e dytë ka të bëj me arrogancën e skajshme dhe të drejtën hyjnore që i japin vetes shumë nga “ambientalistët rishtarë që befas po iu djeg zemra për për brigjet e Badovcit”, për të vendosur kundër të drejtës së pronës private. Një ndër të drejta më të shenjta të sistemit liberal-demokratik ku jetojmë ne është e drejta e pronarit të tokës , që në këtë rast është z. Rrahman Haradini, për ta shijuar e shfrytëzuar si të dojë pronën e vetë. Nëse gjykohet se për hir të të mirës publike prona e tij do duhej të ishte park për qytetarët atëhere do të ishte më e ndershme që të kërkohej nga komuna apo qeveria që ta shtetëzonte me para në mënyrë që pronari të kishte sadopak leverdi apo përfitim nga prona e tij.
Së treti, i gjithë ky reagim ka të bëjë pjesërisht edhe me një lloj mentalitet anti-investim, anti kapitalizëm që është rudiment i të kaluarës komuniste por që në epokën ku jetojmë është duke u fshehur prapa ambientalizmit. Tashmë është fakt i njohur anembanë botës perëndimore, që lëvizjet ekologjiste agresive apo nismat ambientaliste shpesh janë bërë strehë dhe instrument i ish-komunistëve evropianë. Këta të fundit, pas demaskimit të krimeve të komunizmit dhe dështimit të bllokut lindor komunist, po e rishpikin vetën nën maskën e ambientalizmit. Konkretisht prapa një pjese të thirrjeve për të mbrojtur ambientin duke e portretizuar një rrëpirë a pllaje buzë liqenit të Badovcit, si super të rëndësishme për natyrën e shëndetin, fshihen individë që faktikisht i kundërvihen një projekti privat që do të ndërtojë vila luksi e do të siguroj të ardhura për investitorët. Të dy këto qëllime janë blasfemi e papranueshme për çdo neomarksist dhe emocionet ambientaliste shërbejnë si alamet instrumenti për ti luftuar.
Së treti, ka të bëj me një romantizim të skajshëm të asaj që konsiderohet si natyrore dhe një armiqësi e dyshimi i tepruar ndaj ndërhyrjes së dorës së njeriut dhe në mënyrë të veçantë ndaj këtij projekti. Këtu duhet theksuar se Liqeni i Badovcit është po ashtu një produkt i dorës së njeriut, sepse nuk është liqen natyror por një rezervuar apo akumulacion ujor i ndërtuar nga njeriu. Pra nuk bëhet fjalë për cënimin e ndonjë monumenti të virgjër natyror, sikurse mund të jetë ta zëmë liqenet akullnajorë të Jazhincës e Livadhit në bjeshkët e Sharrit. Por për një ndërtim pranë një ndërtimi njerëzor e projekti parashikohet të jetë jo shumë larg digës të lartë 52 metra e të gjërë 246 metra të ndërtuar në vitin 1966. Përveç liqeneve të vockla alpine, liqeni i Breznës në Opojë është i vetmi liqen natyror në gjithë Kosovën, të tjerët janë të gjithë artificialë.
Madje mund të thuhet se shpesh është urbanizimi që bëhet buzë liqeneve, ai që i valorizon më shumë këto liqene, duke i bërë atraksione turistike, sikurse është rasti i Dibrës në Maqedoninë e Veriut apo Jabllanica në Bosnjë Hercegovinë. Kuptohet që kjo ndodh nëse bëhet me kujdes, plan, shije e në harmoni me rrethinat dhe ujin e liqenit. Nuk është rastësi që qytetet buzë liqeneve të Komos, Gardës, Lemanit, Ohrit, Halshtatit etj. janë epiqendra ndërkombëtare botërore të turizmit për bukurinë jo vetëm të ujërave të liqenit por edhe të kombinimit me ndërtimet që janë nëpër brigjet e këtyre liqeneve.
Me këtë rast ia vlen të përmendet një revoltë e ngjashme por në përmasa më të vogla që u bë para pak vitesh edhe për ndërtimin e hotelit Liqeni i Dukagjinit buzë liqenit artificial të Radoniqit. Për hir të së vërtetës duhet thënë që ai hotel është bërë tashmë një destinacion atraktiv i ri, sepse ka nxitur turizmin e zonës e ka joshur më shumë qytetarë që të vizitojnë Radoniqin. Ndërkohë nuk ka ndodhur ndonjë helmim me ujin sikurse paralajmërohej asokohe. Këtu shkohet tek pikëpyetja tjetër, a është kaq i rrezikshëm ndërtimi buzë liqenit nëse kontrollohet e planifikohet sipas standardeve më të mira të trajtimit të ujërave të zeza e mbeturinave? Mjafton të shikohen dhjetëra qytete të ndërtuara buzë liqeneve në Zvicër, Austri, Itali e mbarë Evropën që marrin ujë të pijshëm nga liqeni përbri të cilit janë, për të kuptuar se kjo bashkëjetesë urbane dhe uji i pastër është e mundur. Prandaj do ishte më e arsyshme që, para se të demonizoheshin sipërmarrësit që duan të bëjnë ndërtimin, thjesht të kërkohen garanci që ndërtimi do ketë maksimumin e standardeve të ruajtjes nga ndotja dhe impaktin minimal në natyrë.
Kur vjen fjala për ndotje të liqenit, duhet ulur alarmi i tepruar dhe panikimi i panevojshëm që po krijohet, se gjasme urbanizimet e mirëplanifikuara mund të helmojnë ujin e pijshëm sepse nuk është e vërtetë. Fabrikat e përpunimit i pastrojnë, filtrojnë dhe eleminojnë të gjitha ndotjet e lëndët e dëmshme përpara se ujësjellësi ta transportojë ujin në rubinetët e qytetarëve. Madje duhet theksuar se deri në korrik të vitit 2018, në liqenin e Badovcit janë derdhur rregullisht ujëra të zeza por kjo gjë nuk i ka penguar e ka revoltuar më përpara kërkënd. Ka qenë një projekt prej një milionë e gjysëm eurosh, i financuar prej Republikës Çeke, Qeverisë së Kosovës, e Komunës së Prishtinës ai që i ka dhënë fund parvjet derdhjeve të ujërave të zeza duke ndërtuar një impiant për trajtimin e tyre. Mirëpo nga ana tjetër duhet thënë se ujëra të zeza vazhdojnë të derdhen në liqenin artificial të Batllavës i cili furnizon me ujë të pijshëm Podujevën dhe një pjesë të Prishtinës. E njëjta vlen edhe për liqenin e Ujmanit që furnizon me ujë të pijshëm komunat e Mitrovicës, Vushtrrisë dhe Skenderajt por që ka së rreth 30 fshatra në të dy anët, i derdhin ujrat e zeza në liqen.
Për të gjitha këto arsye por edhe për shumë të tjera, do të ishte mirë që si shoqëri të vetëpërmbaheshim nga këto “sjelljet kope” “ dhe përqafime masive emocionale pa i përtypur mirë të këtyre kauzave që janë trendy e që bëhen lehtësisht virale nëpër rrjetet sociale. Bota nuk është bardhë e zi dhe përpara se të ngutemi në qëndrime radikale. Do të ishte mirë të merreshin në konsideratë të gjitha këndvështrimet e pikëpamjet për një rast sikurse është ky projekt i shumëpërfolur “Lakeside Gardens” në Badovc. Gjasat janë të mëdha që ashtu sikurse u ndez si flakë kashte, kjo temë do të shuhet e harrohet shpejt, sepse protestuesit e profesionalizuar e të paprofilizuar do të zbulojnë tema të radhës për të cilat do të hidhen me pasion, ndërkohë që ambientalistët e vërtetë e të sinqertë do të ngelen ende të paktë. Mirëpo do ishte mirë që kjo temë të na shtyjë të mendojmë me këmbë në tokë edhe për debatin global të zhvillimit të qëndrueshëm dhe tensionin e brendshëm midis nevojave të mëdha për zhvillim ekonomik dhe pretendimeve për standarde të larta për ekologjike. Po ashtu kjo temë duhet të na bëj të kuptojë se se në epokën ku po jetojmë, është e pamundur që të kemi rritje ekonomike e mirëqënie nëse nuk heqim barrierat dhe paragjykimet për ndërmarrësinë private.
(Adri Nurellari është studiues, këshilltar dhe kolumnist i angazhuar kryesisht në fushën e politikës dhe media) /KultPlus.com