Ndizen dritat te emrat e firmëtarëve në oborrin e Parkut të Shtëpisë së Pavarësisë

2 Tetor, 2022 - 9:30 am

Pas përfundimit të punimeve në Parkun e Shtëpisë së Pavarësisë, park ky që lidh pjesën e brendshme të qytetit me Lungomaren, tashmë janë ndezur edhe dritat te emrat e firmëtarëve të pavarësisë, në oborrin e shtëpisë muze.

Kryeministri Rama u ndal gjatë vizitës së tij në Vlorë për të parë nga afër këtë park.

Rama zhvilloi dhe homazh te etërit e Pavarësisë emrat e të cilëve janë skalitur në qendër të parkut.

Ai tha se është një homazh, mendoj i denjë dhe u shërben gjithë vizitorëve dhe atyre që vijnë nga Kosova, Maqedonia e Veriut nga trevat e tjera, atyre që vijnë nga diaspora por edhe fëmijëve sepse realisht është një libër i hapur në faqen ku janë gjithë firmëtarët e Pavarësisë.

Rama shtoi se, i gjithë parku është i bukur por emrat e vendosur janë një qershi mbi tortë dhe tani ka marrë dhe ngjyra çdo gjë.

Në park janë vendosur 10 emrat e ministrave dhe 40 firmëtarëve të Pavarësisë.

Ky park i ri jo vetëm do t’i shërbejë qytetarëve, por është edhe një atraksion më shumë për turistët vendas e të huaj që pushojnë në qytetin bregdetar.

Parku i Shtëpisë së Pavarësisë është i vendosur në hapësirën këmbësore nga rrethrrotullimi i Skelës, deri tek porti.

Ai lidh bulevardin e ri “Ismail Qemali” me Lungomaren./atsh/ KultPlus.com

Të ngjajshme