4 Shkurt, 2021 - 9:28 am
Cilësia shumë e dobët e ajrit është një nga problemet më të mëdha me të cilat përballen vendet në Ballkanin Perëndimor. Ndotja e ajrit dhe pandemia COVID-19 kanë kontribuar në rritje të vdekshmërisë në këtë rajon. Kampanja “Ballkani i Bashkuar për Ajër të Pastër” u bën thirrje institucioneve kompetente në vendet e Ballkanit Perëndimor dhe qytetarëve të tyre të ndërmarrin veprime të përbashkëta që do të ndihmonin përmirësimin e cilësisë së ajrit dhe uljen e shkallës së vdekshmërisë të lidhur edhe me COVID-19.
Grimcat e imëta (PM) dhe SARS-CoV-2 ushtrojnë një ndikim negativ në të njëjtat qeliza dhe pjesë të qelizave, prandaj personat e infektuar të cilët janë të ekspozuar ndaj ndotjes së ajrit preken edhe në përkeqësim të frymëmarrjes si përgjigje ndaj pranisë së SARS-CoV-2. Kjo shkakton forma edhe më të rënda të COVID-19, si dhe nivele më të larta të vdekshmërisë.
Ekspozimi afatgjatë ndaj emetimeve të dëmshme rrit rrezikun e kontraktimit të sëmundjeve akute dhe kronike, kryesisht ato që prekin sistemin e frymëmarrjes. Për shkak të funksionimit të tij të reduktuar, ai bëhet më i prirur ndaj infeksioneve të virusit, duke përfshirë atë të shkaktuar nga koronavirusi (SARS-CoV-2).
Numri i provave dhe studimeve shkencore mbi lidhjen midis ndotjes së ajrit dhe COVID-19 po rritet, por ende u nënshtrohen disa kufizimeve që duhet të merren parasysh, veçanërisht fakti që nuk është kryer asnjë studim përkatës në lidhje me rajonin e Ballkanit Perëndimor. Ne kemi nevojë për studime mjedisore dhe epidemiologjike mbi lidhjet midis ndotjes së ajrit dhe COVID-19 në rajonin e Ballkanit Perëndimor. Ato duhet të planifikohen dhe zbatohen me saktësi, në mënyrë që ato të mund të japin përfundime dhe rekomandime adekuate të masave që duhen marrë.
Kërkimet e deritanishme tregojnë se ndotja e ajrit shkakton vdekshmëri më të lartë nga COVID-19 – globalisht deri në 15%, ndërsa deri në 19% në Evropë. Përveç kësaj, është përcaktuar se një rritje prej 1 mikrogram për metër kub në përqendrimin e grimcave të imëta gjithashtu rrit vdekshmërinë e COVID-19 deri në 11%.
Brishtësia e sistemeve të kujdesit shëndetësor në vendet e Ballkanit Perëndimor gjithashtu paraqitet kur problemi i ndotjes së ajrit referohet me pandeminë COVID-19. Në spitalet në të gjithë rajonin, sasia e ventilatorëve dhe shtretërve spitalor është e pamjaftueshme, dhe ne për vite me radhë jemi përballur me çështjet e migrimit të punonjësve të kujdesit shëndetësor dhe numrit të mangët të stafit që punon në njësitë e kujdesit intensiv.
Me kampanjën “Ballkani i Bashkuar për Ajër të Pastër”, ata kërkojnë që vendimmarrësit të rrisin nivelin e pjesëmarrjes së përfaqësuesve të sektorit të kujdesit shëndetësor në proceset e vendimmarrjes, në mënyrë që të sigurojnë integrimin në kohë të masave të kujdesit shëndetësor në politikat që përqendrohen në mbrojtjen e mjedisit. Përveç kësaj, është e nevojshme të përmirësohet edhe efikasiteti i zbatimit të ligjit dhe vendimmarrjes në fushën e mbrojtjes së mjedisit, në mënyrë që të ketë përfitime më të mëdha shëndetësore dhe ekonomike për të gjithë qytetarët.
“Ne besojmë se është e nevojshme që të integrohen masat për përmirësimin e cilësisë së ajrit në politikat publike dhe planet e ndihmës COVID-19, në përputhje me angazhimet e përfshira në Agjendën e Gjelbër për Ballkanin Perëndimor, i cili u miratua nga të gjitha shtetet”, thuhet në komunikatë.
Për më shumë informacion mbi fushatën, mund të kontaktoni Roni Idrizaj, [email protected] – përfaqësues partner në kampanjë nga Kosova. / KultPlus.com