Ndriçim Xhepa feston 66-vjetorin e lindjes, aktori i mbi 40 roleve

21 Janar, 2023 - 5:00 pm

Aktori shqiptar Ndriçim Xhepa feston sot 66-vjetorin e lindjes së tij.

Ai ka ka dhënë një kontribut mjaft të vyer në kinematografinë shqiptare me interpretimet e tij në filma të ndryshëm.

Ndriçim Xhepa, i lindur në 21 janar 1957, është i biri i aktores Margarita Xhepa. Ai mbaroi studimet për aktrim në Akademinë e Arteve dhe filloi punë në Teatrin Kombëtar, ku ka realizuar mbi 40 role.

Ndërsa në kinematografi, ku dhe njohja nga publiku i thjeshtë është edhe më e madhe, Xhepa ka interpretuar në dhjetëra filma, ndër të cilët kujtojmë “Shokët”, “Kohë e largët”, “Treni niset në shtatë pa pesë”, “Duaje emrin tënd”, “Hijet që mbetën pas”, “Kthimi i Ushtrisë së Vdekur”, “Unë e dua Erën”, “I dashur Armik”, e shumë të tjerë.

Ai është shpallur tri herë fitues i Kupës për “Aktorin më të mirë” në Festivalet e Filmit në vitet 1987, 1989 e 2000 dhe dy herë fitues i çmimit “Aleksandër Moisiu” për “Aktorin më të mirë” në Festivalin Kombëtar të Teatrit me 1986 dhe 1995. Xhepa mban titujt “’Artist i Merituar” dhe “Mjeshtër i Madh i Punës’’./atsh/ KultPlus.com

Të ngjajshme