26 Gusht, 2023 - 11:31 pm
Një incident tronditës, i cili mund të përsëritet shumë herë në të ardhmen, është regjistruar nga shkencëtarët në Antarktidë.
Deri në 10,000 zogj pinguinë perandorë ngordhën kur akulli ku ata jetonin u shkri. Pinguinët ishin të vegjël dhe ende nuk i kishin zhvilluar pendët e tyre të papërshkueshme nga uji për të notuar në oqean, kështu që ata u mbytën ose u ngrinë deri në vdekje.
Ngjarja, siç raportohet nga BBC, ka ndodhur në fund të vitit 2022 në perëndim të Antarktidës, në një zonë pranë detit Bellingshausen dhe është regjistruar nga satelitët.
Një kombinim i erërave dhe ujit të ngrohtë reduktoi mbulimin e akullit të detit.
Shkencëtari britanik thotë se zhdukja ishte një pararojë e gjërave që do të vinin. Më shumë se 90% e kolonive të pinguinëve perandorë parashikohet të jenë gati të zhdukura deri në fund të shekullit, sepse akulli sezonal i detit po tkurret për shkak të ngrohjes globale. Nëse akulli nuk është i gjerë ose i trashë, zogjtë janë në telashe.
Zogjtë e rritur dalin në akullin e detit rreth marsit, ndërsa dimri afrohet në hemisferën jugore. Ata çiftëzohen, vendosin vezët e tyre dhe ushqejnë të vegjlit derisa të vijë koha për të shkuar në oqean, rreth dhjetorit deri në janar. Kjo do të thotë që për tetë deri në nëntë muaj duhet të ketë akull deti.
Megjithatë, studiuesit panë që akulli shpërtheu nëntorin e kaluar, përpara se zogjtë të dilnin në det ose të kishin zhvilluar pendët.
Shkencëtarët monitoruan pesë koloni në detin Bellingshausen me satelitët Sentinel-2 të BE-së, të njëjtët që monitorojnë zonat e djegura. Shkencëtarët mund të vëzhgojnë aktivitetin e pinguinëve nga jashtëqitjet e tyre në akull, pasi njolla kafe është e dukshme nga Hapësira.
Tkurrja e akullit
Akulli i Antarktikës ka qenë në tkurrje të madhe që nga viti 2016, dhe shtrirja totale e ujit të ngrirë rreth kontinentit ka rënë në nivele të reja rekord.
Dy nivelet më të ulëta ishin në 2021-22 dhe 2022-23, kur deti nuk kishte pothuajse asnjë akull.
Por edhe në anën tjetër të planetit, në Arktik, akulli i detit ka qenë në rënie të vazhdueshme për dekada.
Pinguinët perandorë janë aktualisht të listuar si një specie “gati e kërcënuar”, megjithëse është paraqitur një propozim për t’i cilësuar ata si specie “të cenueshme”, për shkak të rrezikut që sjell ngrohja e klimës për mënyrën e tyre të jetesës./alsatm/KultPlus.com