12 Tetor, 2020 - 10:00 am
Parada e Krenarisë që bashkon personat e komunitetit LGBTI dhe përkrahësit e tyre për të kërkuar të drejtat e barabarta, këtë vit në Kosovë do të mbahet duke respektuar masat anti-COVID.
Ndryshe nga herët e tjera, këtë vit ky organizim do të mbahet me vetura nën sloganin “Po, du”, për të kërkuar drejtësi për vendimet e kodit civil lidhur me përjashtimin e martesave të seksit të njëjtë.
“Pas një viti përplot me sfida dhe për arsye të situatës së krijuar me Covid-19, Parada a Krenarisë këtë vit do të mbahet ndryshe. Meqenëse Parada e Krenarisë bashkon personat LGBTI dhe përkrahësit për të kërkuar të drejta të barabarta, këtë vit po kërkojmë drejtësi në vendimet e kodit civil lidhur me përjashtimin e martesave të seksit të njëjtë”, thuhet në komunikatë.
Për këtë dite, CSGD, CEL në bashkëpunim me organizatat QKSGJ, CRD dhe YIHR kanë dalë me një deklaratë të përbashkët.
Deklarata e plotë:
Edhe sivjet, pavarësisht sfidave si dhe gjendjes së krijuar për shkak të pandemisë me COVID-19, organizatat CSGD dhe CEL në përkrahje të organizatave QKSGJ, CRD dhe YIHR kanë vendosur që ta organizojnë Paradën e Krenarisë, e cila do të jetë më ndryshe dhe do të shkurtohet në një ditë aktivitet.
Organizimi i Paradës së Krenarisë paraqet një moment që kërkon të tërheqë vëmendjen e publikut, vendimmarrësve, autoriteteve qendrore dhe lokale, mediave dhe opinionistëve për padrejtësitë dhe sfidat me të cilat përballen personat LGBTI, me shpresë për të sjellë drejtësi sociale, ekonomike dhe politike. Po ashtu, parada e Krenarisë bashkon personat LGBTI dhe përkrahësit për të kërkuar të drejta të barabarta, këtë vit po kërkojmë drejtësi në vendimet e kodit civil lidhur me përjashtimin e martesave të seksit të njejtë, e drejtë kjo e garantuar me Kushtetutën e Republikës së Kosovës.
Nën slloganin “PO, DU”, Parada e Krenarisë, edhe pse në kushte pandemie, do të organizohet me vetura në rrugët e Prishtinës, për të adresuar sfidat, kërkesat si dhe për të shfaqur prezencën e personave LGBTI në Kosovë. Duke respektuar masat e Qeverisë së Kosoves për parandalimin e përhapjes së pandemisë, numri i veturave dhe i pjesëmarrësve do të jetë i limituar.
Edhe pse Kushtetuta e Kosoves, dhe gjithë korniza ligjore e Republikës së Kosovës garantojnë të drejta të barabarta për të gjithë, në praktikë këto të drejta në shumicën e rasteve nuk respektohen. Në Kosovë ende vazhdon të mbizotërojë gjuha e urrejtjes, krimi i urrejtjes, diskriminimi në vende të punës, ngacmimi në shkollë i nxënësve dhe studentëve si dhe dhuna nga anëtarët e familjes, që është e bazuar dhe motivuar për shkak të orientimit të tyre seksual dhe identitetit gjinor. Pabarazitë dhe shkeljet e të drejtave të personave LGBTI janë shtuar ndjeshëm me pandeminë COVID-19. Për shkak të gjendjes emergjente dhe masave te kufizimit të levizjes dhe izolimit, shumë të rinjë LGBTI janë detyruar të kthehen dhe të jetojnë me familjet e tyre, prej të cilave janë larguar pasi që mund të mos ishin të pranuar për shkak të orientimit seksual apo identitetit gjinor. Mu për shkak të këtij mospranimi disa prej tyre kanë mbetur pa strehë, e kjo ka ndikuar që të mbesin edhe pa punë. Detyrimi për të qëndruar të izoluar brenda familjes e cila nuk e pranon një person LGBTI ka rritur rastet e dhunës në familje. Gjithashtu, per shkak te pandemisë dhe mbylljes së kufijve personat Transgjinorë nuk kanë shërbimet shëndetësore në lidhje me tranzicionin si dhe nuk kanë pasur qasje te profesionistët shëndetësore në lidhje me terapinë hormonale, shërbime shëndetësore të cilat nuk ofrohen në Kosovë. Sipas udhëzuesve të OBSH-s dhe Komisionit Evropian, sigurimi i vazhdueshëm i terapisë përfshihet në shërbimet esenciale shëndetësore për komunitetin transgjinorë.
Ne inkurajojmë vendimmarrësit, udhëheqësit politikë, mediat dhe publikun që të kontribuojnë në avansimin e të drejtave të njerëzve që janë të prekur nga dhuna dhe diskriminimi bazuar në orientimin e tyre seksual dhe identitetin gjinor. Inkurajojmë Qeverinë e Kosovës që të hartoj politika që do të mbrojnë qytetarët e vet nga dhuna në familje, pavarësisht gjinisë, orientimit seksual apo identitetit gjinorë. Inkurajojmë organet e rendit dhe ligjit që të përkushtohen në mbrojtjen e të drejtave të personave LGBTI konform legjislacionit në Kosovë që do të ndikonte në krijimin e një ambienti të sigurt dhe të përshtatshëm për të gjithë qytetarët e Kosovës, pa dallim.