23 Nëntor, 2021 - 8:44 am
Xhemail Mustafa, gazetar, politikan, publicist, shkrimtar shqiptar dhe këshilltar politik i presidentit Historik të Kosovës, Ibrahim Rugovës, u vra mizorisht në Prishtinë, në hyrje të apartamentit të tij ku u qëllua për vdekje nga dy sulmues të cilët kurrë nuk u arrestuan.
Në 21 vjetorin e vrasjes së Xhemail Mustafës, Besian Mustafa, djali i shkrimtarit kosovar, kujton momentet e 23 nëntorit, kur edhe e kuptoi se babain e tij e kishin vrarë.
KultPlus ju sjell të plotë rrëfimin e Besian Musafës.
E enjte, 23 nëntor, 2000.
Ditë e rëndomtë mësimi në gjimnazin Sami Frashëri në Prishtinë. Arsimtari(ja?) sqaronte diçka… nuk di, s’kisha mendjen aty. Si 16 vjeçar, i sapombijetuar nga lufta një vit e gjysmë më parë, s’ishte çudi që mendja të kishte planet e saj, këmbët e saj.
Qetë, si me drojë, hapet dera e klasës dhe brenda hyjnë motra Beriana dhe drejtori i shkollës.
“Bes” më drejtohet ajo “merre çantën dhe jaknen edhe hajde”. Mendjen mjegull nga mendimet e mëparshme dalë nga klasa pa pyetur asgjë. Në korridor më priste gruaja e dajës Xhevahirja.
Rrugës në veturën e Xhevës, nga Sami Frashëri tek parkingu i lagjes “Santea” nuk folëm shumë. “Babin e kanë plagosë” tha Beri dhe asnjë fjalë. S’dilja dot nga mjegulla… kush e paska plagosë babin? Pse babin? Ai s’i ka ba keq kurrkujt kurgjo… a janë të sigurt që babin e kanë plagosë? Në kaosin e pasluftës njerëzit plagoseshin çdo ditë, ndoshta s’e kanë plagosë babin?
…
“A je ti djali i zotëri Mustafës?” më pyet në anglisht një polic i UNMIK-ut. “Po” i them unë. “Më vjen keq por babi yt nuk mbijetoi” ma pret ai sikurse të fliste për rezultatin e ndonjë loje futbolli apo çmimin e ndonjë fruti në treg. Mendjen vazhdon të ma mbështjellë e njëjta mjegull e mëngjesit. S’dal dot nga ajo.
Kthehem brenda në butikun “Charlie” ngjitur hyrjes se banesës sonë – s’na kishin lënë të ngjitemi lartë në banesë, babin e kishin “plagosë” mbi shkallët e katit të parë të hyrjes – dhe u tregoj çka më kishte thënë polici. Ulem diku, nuk dëgjoj asgjë. I shihja të gjithë duke qarë e nxjerrë shpirtin plot mërzi. Por s’i dëgjoja. Mendjen e kisha plot mjegull.
…
Sot 21 vjet më vonë. S’dal dot nga kjo mjegull./ KultPlus.com