6 Nëntor, 2023 - 10:46 pm
Në 25 vjetorin e rënies, me homazhe sot janë përkujtuar heronjtë Xhelal Hajda-Toni dhe Selajdin Mullabazi-Mici nga komuna e Rahovecit dhe dëshmorëve Bektesh Haliti, Nezir Ymeri dhe Hamdi Hajrizi nga komuna e Vushtrrisë, të cilët ranë heroikisht me datën 06.11.1998, mbi fshatin Opterushë të komunës së Rahovecit.
Kryetari i Komunës së Rahovecit, Smajl Latifi ka thënë se pa këtë luftë dhe pa rënie të tilla si kjo e Heronjve Xhelal Hajda-Toni dhe Selajdin Mullabazi-Mici dhe dëshmorëve të tjerë nuk do të dihej çfarë vlere ka në të vërtetë liria.
“Ata dhanë jetën e tyre për t’i dhënë jetë e dinjitet popullit shqiptar në këto troje të lashta. Kjo është trashëgimia më e mirë që ata na e lanë, prandaj ruajtja dhe kultivimi i kësaj trashëgimie është detyrë dhe obligim i çdoditshëm. Dëshmorët e treguan me vepra dashurinë e tyre, duke dhënë jetën dhe neve na takon ta dëshmojmë dashurinë ndaj vendit me punë e përkushtime të përditshme”, ka thënë kryetari Latifi.
Në këtë ngjarje përkujtimore morën pjesë edhe bashkëluftëtarë dhe familjarë të heronjëve të rënë në këtë datë, të cilët pas homazhve patën rastin të vizitojnë kullën e cila gjendet në afërsi të lapidarit, që përmban bustet dhe kujtime të të rënëve në këtë datë/KultPlus.com