2 Mars, 2021 - 10:53 pm
Në Lezhën e Besëlidhjes, sot munguan krerët e shtetit shqiptar. As 577 vjetori i bashkimit të parë të shqiptarëve, dhe as figura e Skënderbeut, nuk mjaftuan që krerët e politikës, të linin rutinën e Tiranës e të vendosnin një kurorë me lule në vendin ku princat shqiptarë lidhën besën më shumë se 5 shekuj e gjysmë më parë.
Vetëm Bashkia Lezhë përgatiti një ceremoni modeste.
Por nëse Tirana zyrtare u mjaftua me disa statuse facebooku, politikanët shqiptarë, nga trojet jashë kufijve shtetërorë, u kujdesën të ishin në Lezhë këtë të martë.
Shaip Kamberi nga Presheva e largët, Nik Gjeloshaj nga Tuzi, Ziadin Sela nga Maqedonia e veriut, dhe Albin Kurti nga Kosova, e përkujtuan sot bashkimin e shqiptarëve të 2 marsit 1444.
I pyetur nga Euronews Albania mbi mungesën e krerëve të shtetit shqiptar në Lezhë, Albin Kurti u shpreh se politika shqiptare u përfaqësua nga kandidati i Lëvizjes Vetëvendosje në zgjedhjet e 25 prillit, Iliaz Shehu.
Sa i takon bashkimit kombëtar, Kurti tha se Kushtetuta e Kosovës nuk ia lejon diçka të tillë, por ky është një proces që do të vijë me kohën.
“Fatkeqësisht Kushtetuta e Kosovës e ka në kundërthënie Nenin 1.1 me Nenin 1.3… Neni 1.1 thotë që Kosova është shtet i pavarur, sovran dhe demokratik, ndërkaq Neni 1.3 na e ndalon bashkimin me një shtet tjetër, në këtë kuptim pavarësia e Kosovës nuk e lejon në mënyrë Kushtetuese bashkimin me një shtet tjetër të pavarur si Shqipëria, njëkohësisht paraqet edhe pengesë edhe për integrime të llojit tjetër siç është ai evropian, tashmë në Kosovë kur s’kemi ligj për referendum dhe kur s’e ndryshojmë dot Kushtetutën tregon që duhet të bëjmë më shumë punë dhe do të kalojë ca kohë deri sa të mbërrijmë deri në atë pikë,” – tha Kurti duke theksuar se dëshira mbetet e madhe.
Por megjithëse nuk ishin të pranishëm, Kurti nuk nguroi të jepte një mesazh nga Lezha për politikanët Shqiptarë.
Gjatë vizitës në Lezhë, Kurti u ndal edhe në zyrën e Lëvizjes Vetëvendosje në këtë qytet për t’i dhënë mbështetjen e tij Iliaz Shehut, njërit prej 3 kandidatëve që mbështetet nga Lëvizja Vetëvendosje në zgjedhjet e 25 prillit./euronewsalbania/ KultPlus.com