2 Mars, 2025 - 8:02 pm
Me rastin e Besëlidhjes së Lezhës sot është zbuluar shtatorja e re e Gjergj Kastriotit Skënderbeu përballë vendvarrimit të tij në Lezhë.
Sot festohet momenti historik ku shqiptarët para 581 viteve ranë në një mendje. Të pranishëm në ceremoni ishin presidentja Vjosa Osmani dhe Kreu i BDI-së në Maqedoninë e Veriut, Ali Ahmeti.
“Sot pas më shumë se 5 shekujsh, historia na mëson se uniteti kombëtar nuk është thjesht një koncept i së kaluarës, por një domosdomshmëri për të tashmen dhe të ardhmen tonë. Ashtu si në vitin 1944, edhe sot na nevojitet një qasje e përbashkët, një vizion afatgjatë dhe një vullnet i palëkundur për ta forcuar rolin e shqiptarëve në rajon dhe në botë”, tha Osmani, shkruan euronews.al.
“Le të na shërbejë edhe Lezha edhe Kruja. Kruja për rezistencë, Lezha për bashkim dhe unitet dhe për diplomaci. Skënderbeu nuk ka qenë vetëm i shpatës por dhe i politikës, i diplomacisë nga më të avancuarit e kohës”, shtoi Ahmeti nga ana tjetër.
Besëlidhja e Lezhës u mbajt më 2 mars 1444, në katedralen e Shën Nikollës në Lezhë.
Qëllimet e kuvendit ishin bashkimi i sa më shumë fisnikëve e principatave nga tokat që më parë në botën krishtere ishin të njohura si toka të Perandorisë së Bizantit, si dhe rimëkëmbja e Mbretërisë së Arbrit. Ky kuvend mbështetej edhe nga Papa pasi që me këtë do të ndalohej apo së paku do të ngadalësohej depërtimi i Perandorisë Osmane në Ballkan e që në vete sillte edhe fenë islame.
Kjo besëlidhje mori disa vendime. Vendimet e kuvendit ishin krijimi i një Besëlidhje Arbërore në krye me Skënderbeun, formimi i një ushtrie të përbashkët të komanduar nga Skënderbeu si kapiten i përgjithshëm dhe krijimi i një arke të përbashkët për të përballuar shpenzimet e luftës.