12 Qershor, 2020 - 11:55 pm
Në Ditën e Çlirimit të Prizrenit është përuruar memoriali i Ekrem Rexhës, i njohur si Komandant Drini, shkruan KultPlus
Kjo ceremoni është mbajtur nën patronatin e kryetarit të Komunës së Prizrenit, Mytaher Haskuka.
Shteti jonë bazohet në sakrificën dhe luftën e dinjitetshme të tyre me vlera më të larta njerëzore, e cila nuk ka asnjë njollë në gjithë historinë e tyre!”, tha Haskuka.
Këtu keni njoftimin e plotë:
“Në Ditën e Çlirimit të Prizrenit, përurohet memoriali i Komandant Drinit
Sot me rastin e Ditës së Çlirimit të Prizrenit, nën patronatin e kryetarit të Komunës së Prizrenit, Mytaher Haskuka janë bërë homazhe tek varrezat e dëshmorëve në Landovicë.
Me këtë rast kryetari Haskuka deklaroi se kjo ditë ka ardhur si rezultat i sakrificave qindra vjeçare, e cila u kulmua me luftën e lavdishme të UÇK-së.
“Më 12 qershor të vitit 1999, pas një operacioni të suksesshëm me shumë pak pasoja arritëm deri në çlirimin e Prizrenit. Jam përjetësisht mirënjohës ndaj dëshmorëve, veteranëve dhe martirëve të luftës, të cilët iu bënë ballë planeve të egra të forcave okupatore serbe. Shteti jonë bazohet në sakrificën dhe luftën e dinjitetshme të tyre me vlera më të larta njerëzore, e cila nuk ka asnjë njollë në gjithë historinë e tyre!”, tha Haskuka.
Më pas në lagjen Bazhdarhane, përballë Shtëpisë së Bardhë u bë vënia e gurthemelit të memorialit të Ekrem Rexhës – Komandant Drini, ku morën pjesë edhe anëtarët e familjes së tij, bashkëluftëtarët, veteranët e martirët e luftës, si dhe zyrtarët komunalë.
Duke theksuar se Komandant Drini është meritori më i madh i çlirimit të Prizrenit, Haskuka tha se “Edhe pse një veprim i vonuar, sot pas 21 vitesh në praninë e anëtarëve të familjes dhe bashkëluftëtarëve të tij, filluam punimet për ndërtimin e memorialit të Komandant Drinit në qendër të qytetit të Prizrenit, ku të gjithë do ta përkujtojmë jetën dhe veprën madhështore të tij”.
Duke kërkuar zbardhjen e sa më të shpejtë të veprës makabre të vrasjes së komandant Drinit, Haskuka njoftoi se shumë shpejtë do të bëhet edhe përurimi i këtij memoriali.
Pas përurimit në bashkëpunim me veteranët e luftës së UÇK-së, u mbajt edhe një koktej rasti në oborrin e Shtëpisë së Bardhë”.