18 Prill, 2023 - 11:31 pm
Në Ditën e dëshmorëve të Prishtinës, Kryeministri Albin Kurti, ka bërë homazhe në varrezat e dëshmorëve në Marec, Makoc dhe fshatrat e Gollakut.
Kurti ka thënë se qëndrojmë të përkulur para kujtimit të të rënëve dhe para dhembjes së familjarëve, dhe se do të ketë angazhim nga institucionet për të kërkuar drejtësi për viktimat e ndëshkim për kriminelët.
Postimi i plotë në Facebook:
Në Ditën e dëshmorëve të Prishtinës, përkujtojmë të gjithë të rënët në komunën e Prishtinës.
Bëmë homazhe në Marec dhe kujtuam betejën e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, në të cilën ranë heroikisht 27 dëshmorë e 16 martirë.
Vendosëm lule të freskëta në kujtim të të vrarëve në Makoc, në masakrën më të madhe në komunën e Prishtinës. Nderuam kujtimin e 115 civilëve shqiptarë të vrarë, në fshatrat e Gollakut nga forcat serbe mes 19-23 prill 1999.
Përkulemi para kujtimit të të rënëve dhe para dhembjes së familjeve për më të dashurit e tyre. Zotohemi për angazhim për drejtësi për viktimat e për ndëshkim për kriminelët.
Lavdi dëshmorëve të Prishtinës dhe të gjithë të rënëve për lirinë e Kosovës!/KultPlus.com