21 Maj, 2024 - 11:52 am
Në ditën e dytë të Prishtina International Theater Festival, është mbajtur masterclass me studentët e Fakultetit të Gazetarisë dhe Produksionit të Kolegjit AAB, nga regjisorja e njohur malazeze Ana Vukotić njëherazi drejtoreshë e festivalit “FIAT” në këtë shtet.
Ajo së pari ndau përshtypjet për organizimin e PITF 2024, ku është pjesë e jurisë kryesore, duke thënë se është tejet e impresionuar dhe se çdo gjë ishte e menduar mirë deri në detaje, mbi të gjitha veçoi jurinë e studentëve.
“Jam shumë e kënaqur pasi mbrëmë teatri ishte plot njerëz të rinj, organizimi ishte perfekt dhe gjithçka ka shkuar shumë mirë. Ajo që ishte më e bukura e festivalit ishte juria e studentëve, sepse mendimi juaj është shumë i rëndësishëm për ta planifikuar të ardhmen e teatrit”, u shpreh Vukotić.
Tutje Vukotić zgjeroi temën në mënyrën si funksionojnë teatrot dhe festivalet në Mal të Zi, përzgjedhjen e shfaqjeve, teksteve etj.
Në panel me Vukotić ishin edhe drejtori i festivalit Zijad Mehic, drejtoresha artistike Doruntina Alshiqi dhe koordinatorja Valentina Cenaj./ KultPlus.com