7 Mars, 2021 - 10:00 am
Dita e Shkollës së parë Shqipe, apo siç dhe njihet ndryshe si Dita e Mësuesit këtë vit në Prishtinë do të shënohet më një protestë përballë Ministrisë së Arsimit dhe Shkencës, shkruan KultPlus.
Në njoftimin e bërë nga organizatorët e kësaj proteste theksohet se Kosova ka më së paku arsye për festimin e ditës së mësuesit, për shkak të gjendjes në të cilën ndodhet arsimi në vend.
“Kjo ditë tradicionalisht është festuar në Kosovë, madje edhe me dreka, darka e mirënjohje. Ne konsiderojmë, se Kosova ka më së paku arsye për të festuar, duke marrë parasysh gjendjen e rëndë në të cilen ndodhet Arsimi”, thuhet ndër të tjera në njoftim.
Tutje ata kanë shtuar se kjo protestë gjithashtu po organizohet për të ngritur vetëdijen në opinoni publik, por dhe për të kërkuar përgjegjësi nga politika që arsimi të bëhet prioritet.
“Në kuadër të aksionit para objektit të MASH ne do të vendosim një ditar shkollor ku kemi notuar me notën 1 si më e dobëta të gjithë ministrat/et që kanë drejtuar këtë ministri nga paslufta e deri më sot”, thuhet tutje në njoftim.
Kjo protestë e cila është thirrur nga Global Shapers Prishtina do mbahet sot në orën 11:00 duke respektuar të gjitha masat anti covid./ KultPlus.com