24 Gusht, 2024 - 1:09 pm
Në Ditën e Pavarësisë së Ukrainës, kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka pritur në takim qytetarët ukrainas që jetojnë dhe veprojnë në Kosovë, përcjell KultPlus.
Nëpërmjet një postimi në Facebook, kryeministri Kurti theksoi se me këtë rast ka shprehur vlerësimin e thellë dhe solidaritetin për punën e përpjekjet e tyre në një kohë kaq sfiduese.
Në vijim KultPlus ua sjell postimin e kryeministrit Kurti:
Në Ballkonin e Hapur, me rastin e Ditës së Pavarësisë së Ukrainës, mysafirë patëm qytetarë ukrainas të cilët veprojnë e jetojnë në Kosovë.
Kosova është bërë një shtëpi e dytë për ta. Me këtë rast shpreha vlerësimin e thellë dhe solidaritetin për punën e përpjekjet e tyre në një kohë kaq sfiduese. Sepse sot qëndresa e Ukrainës dhe qytetarëve të saj është e pashembullt dhe heroike. Ukraina është mburojë e demokracisë evropiane.
Republika e Kosovës do të vijojë të jetë mbështetëse e fuqishme e luftës çlirimtare të Ukrainës për paqe, liri e demokraci, dhe përkrahëse e rezistencës e vendosmërisë së popullit ukrainas, në mbrojtje të sovranitetit, pavarësisë dhe integritetit territorial të shtetit të tyre.
Le të triumfojë lufta e drejtë për liri, kundër dhunës, brutalitetit dhe agresionit të pajustifikuar të Federatës Ruse. Gëzuar Ditën e Pavarësisë për Ukrainën dhe të gjithë qytetarët e saj!/KultPlus.com