18 Janar, 2021 - 9:28 am
Egjipti ka bërë të ditur një zbulim të ri e të rëndësishëm arkeologjik në nekropolin Saqqara në jug të Kajros ku përfshihen 54 arkivole prej druri, shumë prej të cilave mund të jenë gjurmë të para tre mijë vjetëve, pasi mendohet se i takojnë periudhës së Mbretërisë së Re.
Tempulli funeral i Mbretëreshës Neit u zbulua gjithashtu pranë piramidës së burrit të saj, mbreti Teti i dinastisë së 6-të të Egjiptit e cila daton 4200 vjet më parë, ka thënë arkeologu me nam Zahi Hawass, i cili kryesoi misionin arkeologjik.
Arkivolet ose sarkofagët përfshijnë të parët që datojnë që nga Mbretëria e Re që gjenden në Saqqara, një lokalitet i trashëgimisë botërore të UNESCO-s që është shtëpia e Piramidës së Hapit, shkruhet në një deklaratë të Ministrisë së Turizmit dhe Antikiteteve.
Të gdhendura në formë njerëzore dhe të pikturuara me ngjyra të ndritshme, shumë prej tyre janë ende të paprekura. U gjetën edhe vegla të lojërave antike, statuja dhe maska. “Të gjitha këto zbulime do të rishkruajnë historinë e Saqqaras dhe Mbretërisë së Re”, ka thënë Hawass.
Zyrtarët janë të etur të tregojnë artefakte të zbuluara rishtas ndërsa përpiqen të ringjallin numrin e vizitorëve, pasi industria e turizmit mori një goditje të dhimbshme gjatë pandemisë së koronavirusit. Numri i turistëve që vizitojnë vendin ra në 3.5 milionë vitin e kaluar nga 13.1 milionë më 2019. /reuters/ KultPlus.com