27 Prill, 2022 - 4:21 pm
Me fillim nga ora 16:00 ka filluar edhe funerali i Sekretares së Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Madeleine Albright, e cila vdiq këtë vit, shkruan KultPlus.
Gjatë ceremonisë së varrimit, në një bisedë telefonike është lidhur edhe ish-Presidenti i Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Bill Clinton, i cili ka përmendur Kosovën duke folur për punët e suksesshme të Albright.
“Ajo ishte e mrekullueshme. Unë po mendoja këtë gjë edhe në udhëtimin tonë të fundit në Kosovë kur ata po festonin 20 vjetorin e çlirimit dhe fitores sonë këtu dhe ndaljen e një spastrimi etnik në këtë vend. Dhe ne po ecnim në një ditë të nxehtë në një paradë me gjithë zyrtarët e Kosovës. Më pas ndaluam kur pamë një bust të bukur të bërë për nder të Madeleine, duke e falënderuar për punën që ka bërë. E kam njohur në vitin 1988, kur u bëmë miq të mirë”, tha Clinton mes tjerash.
Më pas, ish-Presidenti i Amerikës përmendi Kosovën edhe një herë tjetër.
“Ajo bëri punë të shkëlqyeshme gjatë karrierës së saj, duhet përmendur punën e saj në shtetin e Bosnjës dhe më pas edhe si sekretare në Kosovë. Jam shumë krenar me punën që ajo e ka bërë”.
Ndërkohë, për këtë Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, si dhe kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, kanë udhëtuar në ShBA me ftesë të familjes Albright, ku edhe do të marrin pjesë në ceremoninë e varrimit. /KultPlus.com