22 Janar, 2023 - 2:00 pm
Historia e Bajronit është plot skandale, udhëtimet ekzotike; jeta e tij pompoze la përshtypje të thella, dhe emri i tij filloi të nënkuptojë njeriun e ndërlikuar; romantik, arrogant, të errët, cinik; shpërthim krijues, shije intrigues në veshje, muzikë, dhe seksualitet, dinak i pabesë, i poshtër (të gjitha përmblidhen në fjalorin urban nën “byronic”.
George Gordon Byron lindi në Aberdeen, Skoci, në vitin 1788. Këmba e çalë dhe mjedisi i varfër ia bënë të vështirë fëmijërinë, por në moshën 10 vjeçare Bajroni trashëgoi titullin Lord nga ungji i tij. Kjo i dha mundësi të dilte nga skamja, të shkonte në shkollë pastaj në Kolegjin Trinity, Kambrixh, ku u zhyt thellë në borxhe, në jetë të shthurur dhe marrëdhënie të pasionuar me gra e burra. Vëllimi i tij i parë i botuar me poezi, Orët e përtacisë (1807), u hodh poshtë nga kritika, sidomos në Skoci; dhe nw librin e tij të dytë, “English Bards and Scotch Reviewers” (1809), Bajroni sulmoi krijimtarinë dhe kritikën letrare angleze. Po atë vit, ai udhëtoi për në Portugali, Spanjë, dhe në Lindjen e Afërme për dy vjet. Përvojat e tij përfshihen në veprat e mëvonshme, si në “Childe Harold’s Pilgrimage” (1812 ), që i solli sukses të menjëhershëm në Angli; “u zgjova një mëngjes dhe e gjeta veten të famshëm”, do të shprehej Bajroni; dhe poezia, sjellja, moda, shijet e tij filluan të imitoheshin gjerësisht.
Më 1815, Bajron u martua me Anne Isabella Milbanke, dhe më 1816, çifti u bë me vajzë, Ada, e cila kur të rritej do të shquhej në fushën e matematikës, dhe sot konsiderohet nga disa si programuesja e parë e kompjuterit. Martesa nuk zgjati shumë dhe çifti Bajron u nda ligjërisht. Në këtë kohë, shpërthen skandali mbi incestin e dyshuar të Bajronit me gjysmë-motrën e tij, Augusta Leigh, dhe i përçmuar nga shoqëria, detyrohet të largohet nga Anglia. Fillimisht u vendos në Zvicër, Gjenevë, afër poetit Percy Bysshe Shelley dhe gruas së tij, Mary Wollstonecraft Shelley. Atje, Bajroni përfshihet në marrëdhënie intime me motrën e gruas së Shellit, Claire Clairmont; nga kjo lidhje më janar 1817 lindi vajza tjetër e Bajronit, Allegra. Pas kësaj, Bajroni ikën në Venecia ku marrëdhënie të ngjashme nuk iu ndanë.
“Në fshehtësi u takuam –
Në heshtje u pikëllova,
Se një ditë do t’më harrosh,
Shpirti yt mund të mashtrohet.
Kur unë të dalë përpara
Pas viteve të gjata ,
Si duhet të përshëndes ty? –
Me heshtje dhe lot”
Në vitin 1819, ai u lidh me konteshën Tereza Guiccioli, gruaja e re e një konti të moshuar. Lord Bajron gjithashtu mbeti gjithmonë një mbështetës i zjarrtë i çështjeve të lirisë dhe pavarësisë kombëtare, duke mbështetur luftën greke për pavarësi. Ai u bashkua me kauzën e lirisë, udhëtoi e vizitoi Shqipërinë jugore, oborrin e Ali pashë Tepelenës, u takua me shqiptarë, arvanitas, qëndroi me suliotë, adhuroi zakonet, sjelljet, gjuhën, armët e veshjet, udhëhoqi stërvitjen e tyre në Missolongi, ku vdiq nga ethet, pak pas ditëlindjes së tij të 36-të. Bajroni jetoi ashtu siç shkroi ose anasjelltas: “Në jetë zemra e njeriut thyhet, por edhe me zemër të thyer jetohet”. / KultPlus.com