25 Maj, 2021 - 1:32 pm
Në Kizhevak të Serbisë, janë gjetur mbi 10 mbetje mortore të cilat dyshohet se u përkasin civilëve shqiptare të vrarë gjatë luftës së fundit në Kosovë.
Kryetari i Këshilli koordinues për të zhdukurit dhe krimet e luftës, Ahmeti Grajqevci në një konferencë për medie tha se tashmë procesi në Kizhevak po përmbyllet dhe dyshimet janë se mbetjet mortore i takojnë familjarëve të zhdukur nga Rezalla.
Grajqefci ka kërkuar nga Serbia që të tregojë vendndodhjen e personave të zhdukur gjatë luftës.
“Ai proces që po përmbyllet aty si po duket se është komplet i familjarëve të Rezallës edhe 6 trupa iu mungojnë dhe për trupat tjerë mbetet që Serbia të tregojë se ku janë. Ne nga Serbia kërkojmë rrugëtimin e njerëzve të gjallë që i ka marr nga Kosova, vendndodhjen e tyre dhe përfundimin e tyre. Serbia çdo gjë e di fort mirë dhe e ka të shkruar dhe të filmuar dhe institucionet kryesore të shtetit e dinë përfundimin e familjarëve tanë se ku janë. Serbia shpresoj që një ditë do t’i tregojë qytetarët veçse kanë filluar t’i tregojnë, madje edhe njerëzit më eminentë të Serbisë që të tregojnë se është diskutuar për varrezat masive në Serbi”, tha ai.
Haki Kasumi ish-koordinator i Këshillit Koordinues i Asociacioneve të Familjarëve të të Zhdukurve të Kosovës i cili e kishte kryesuar këtë vizitë tha se deri më tani dyshohet për mbi 10 mbetje mortore ADN-ja e të cilëve pritet të dërgohet për verifikim në laboratorët e Komisionit Ndërkombëtar të Personave të Zhdukur.
“(Dyshohet) Deri më tani diku mbi 10 mbetje mortore të trupave të shqiptarëve ekskluzivisht civilë të vrarë gjatë luftës së fundit në Kosovë…09\26 Në bazë të gjurmëve rreth mbetjeve trupore të viktimave në vendin Kizhevak aludohej edhe nga ekspertët se lidhen me masakrën e Rezallës. Trupat janë trajtuar në mënyrë profesionale ishin vënë në vendin e planifikuar dhe aty vazhdon proces i përpunimit, nxjerrjes së ADN-së nga pjesët kockore të gjetura të cilat në mënyrë profesionale dhe të duhur do të përcillen në laboratorët e Komisionit Ndërkombëtar të Personave të Zhdukur, i cili komision bazën e ka dhe është organizatë profesionale dhe ka bërë analizën e AND-së të 70 për qind të mbetjeve mortore të identifikuara deri më tash nga të pagjeturve tanë…Procesi është në vazhdim por shpresa dhe gjurmët e gjetura, gjësendet, letërnjoftimet pastaj orët e rrobat korrespondojnë me ato të gjeturat më parë dhe korrespondojnë me masakrën e 5 majit 1999 në Rezallë“, tha Kasumi.
Gërmimet në Kizhevak të Rashkës në Serbi kanë nisur në fund të vitit të kaluar dhe më pas u ndërprenë për shkak të kushteve atmosferike ku tani më 5 maj kanë rifilluar gërmimet.
Më shumë 1.640 njerëz nga Kosova, shumica shqiptarë, ende konsiderohen si të zhdukur. / Gazeta Express / KultPlus.com