2 Prill, 2023 - 9:30 am
Sot, në Kralan të Gjakovës shënohet 24 vjetori i masakrës së 86 civilëve, të kryer nga forcat serbe në luftën e vitit 1999, shkruan KlutPlus
Më 2 prill të vitit 1999 në Kralan të Gjakovës, forcat serbe kishin ndarë rreth 1500 burra, të cilët i kishin lënë vatrat e tyre si shkak i sulmeve serbe. Këta burra dhe djem që u ndanë me dhunë nga familjet e tyre qëndruan në një livadh të rrethuar me tanke, pa ngrënë dhe pa pirë për dy ditë, ku më pas edhe u liruan pjesa më e madhe e tyre.
86 persona nga ai grup u mbajtën, ndër të cilët 11 ishin fëmijë, të cilët më pas u vranë e u masakruan.
Trupat e 18 djemve dhe burrave të vrarë nga kjo masakër janë gjetur në një varrezë masive pranë liqenit të Peruçës, në Bajina Basha të Serbisë.
Fundi i marsit dhe fillimi i prillit shënojnë përvjetorë të masakravve të cilat u kryen në vitin 1999, në Krushë të Madhe, Krushë të Vogël, në familjen Berisha në Suharekë, Pastasellë, Burim, Lybeniq, dhe Izbicë./KultPlus.com