10 Shkurt, 2021 - 9:39 pm
Suada Qorraj
Ambientet e KultPlus Caffe Gallery tashmë kishin hapur dyert për të mirëpritur artistë e regjisorë të shumtë, të cilët tashmë po prisnin që të takoheshin dhe diskutonin për artin dhe kulturën me liderin e Lëvizjes Vetëvendosje, Albin Kurti dhe Presidenten e Kosovës, Vjosa Osmani, shkruan KultPlus.
Ishte gazetari Arbër Selmani ai që hapi mbrëmjen duke falënderuar të ftuarit, por edhe dy figurat kyqe të kësaj mbrëmjeje.
Teksa e tërë vëmendja tashmë ishte përqendruar pikërisht tek katërshja që qëndronte përballë komunitetit të artistëve, Vjosa Osmani filloi fjalimin e saj duke treguar se është çdo herë kënaqësi e madhe takimi me artistët.
Ajo shtoi më pas se ky vit ka qenë një vit i suksesshëm për filmin e Kosovës, duke potencuar filmin “Zgjoi”, me regji të Blerta Bashollit, por edhe duke vënë theksin në atë se përgjatë këtij viti, kultura dhe tradita shqiptare me një sukses të madh po i shpaloset botës.
“Ky vit ka qenë tepër i suksesshëm, e kemi suksesin e fundit me filmin “Zgjoi”, të Blerta Bashollit, sukses që na ka bërë krenarë të gjithëve. Pastaj, këto ditë po shohim se si Rita Ora do ta prezantojë traditën tonë, veshjet tona, nëpërmjet një videoklipi të ri, suksese këto që nuk janë të vetme, sepse nëpërmjet kulturës, artistët po promovojnë kulturën tonë”, ka thënë para të pranishmëve Osmani, e cila ka shtuar se edhe këtë vit shpreson në suksese të mëdha të komunitetit të artistëve, sukses që e kanë dëshmuar tash e shumë vite, e që sipas saj, për fat të keq, politikanët dukshëm kanë pas performancë më të dobët se sa komuniteti i artistëve.
Tutje ajo ka shtuar se përkrahja që do ti japin kulturës nuk do të jetë përkrahje vetëm për artistët, por një përkrahje për shtetin, sepse ky komunitet është imazhi dhe pasqyra më e mirë e një shteti. E sipas saj një shtet i mençur investon në një imazh të mirë, e briliant që artistët kanë ndërtuar përgjatë viteve.
Ndërkaq lideri i Lëvizjes Vetëvendosje, Albin Kuri shpalosi programin qeverisës të partisë së tyre, gjithnjë në fokus të artit dhe kulturës. A theksoi se në ketë program përfshihen institucionet e artit, krijimi i Teatrit te Operas dhe Baletit e shumë investime të tjera.
“Me qeverisjen tonë, pas zgjedhjeve të 14 shkurtit, institucionet e artit do të kenë buxhet vetjak dhe të qëndrueshëm, pra nuk do të varen nga Ministria në linja buxhetore. Teatri Kombëtar dhe teatrot e qyteteve do të kenë të garantuar financimin e rregullt dhe fondin e shtuar për projektet artistike. Njëjtë dhe për baletin, ansamblin dhe institucionet e tjera. Do ta themelojmë edhe Teatrin e Operas dhe Baletit si institucion të vetëqëndrueshëm”, deklaroi ndër të tjera Kurti.
Kurti shtoi se në plan programin e tyre zgjedhor përfshihet edhe shpëtimi i trashëgimisë në rrezik, por edhe mbrojtja e përhershme e aseteve të trashëgimisë kulturore.
Kurse Ardianë Pajaziti, kryeredaktore e KultPlus ka thënë para të pranishmëve se pikërisht në mbrëmjen e sotme, në ambientet e KultPlus Caffe Gallery janë mbledhur artistë të profileve të ndryshme, që presin mbështetjen e institucioneve shtetërore për jetësimin e projekteve dhe ideve të tyre.
“Artistët vazhdojnë të jenë imazh i mirë i Kosovës, andaj, një mbështetje institucionale më e madhe ndaj këtij komuniteti, është shumë i rëndësishëm për artistët por edhe për imazhin e Kosovës”, ka thënë Pajaziti.
Më pas, Pajaziti bashkë me Osmanin dhe Kurtin kanë takuar veç e veç të gjithë artistët pjesëmarrës, të cilët edhe kanë treguar për idetë dhe mundësitë e bashkëpunimit në jetësimin e projekteve të ndryshme. Ndërkohë, të pranishmit kanë pas rast të shohin për së afërmi ekspozitën e Yllka Letit, ekspozitë që vazhdon të jetë e hapur në ambientet e KultPlus Caffe Gallery
(Ngjarja u mbështet nga Stone Castle, Fluidi, Birra Prishtina dhe Uji Dea) /KultPlus.com