12 Dhjetor, 2020 - 8:59 am
Arkeologët në Meksikë kanë zbuluar pjesë të reja të një kulle të periudhës së aztekëve me kafka njerëzish, të cilat besohet se janë vendosur në nëntokën e kryeqytetit Mexico City në shekullin XV.
Ekipi i arkeologëve zbuloi pjesën e jashtme dhe të brendshme të kullës si dhe 119 kafka të burrave, grave dhe fëmijëve. Në të njëjtin lokacion më parë janë gjetur qindra kafka të tjera, njoftoi të premten Instituti Kombëtar i Antropologjisë dhe Historisë.
Kulla me diametër prej rreth pesë metrash për herë të parë ishte zbuluar në vitin 2017, ndërsa gjetjet e fundit aty u bënë në mars të këtij viti, shkruan The Guardian, transmeton Gazeta Express, percjellë KultPlus.
Besohet se këto kafka janë pjesë e të ashtuquajturit Huey Tzompantli, grup i madh kafkash që ua kishte futur frikën kolonizuesve spanjollë, kur ata e kishin marrë qytetin nën kontroll më 1521.
Struktura cilindrike ndodhet afër Katedrales Metropolitane, e cila është e ndërtuar mbi tempullin Templo Mayor, një ndër tempujt kryesorë të kryeqytetit të aztekëve, Tenochtitlan, që shtrihej aty ku sot ndodhet kryeqyteti Mexico City.
Arkeologët deri më tani kanë identifikuar tri faza ndërtimi të kullës, të cilat datojnë nga viti 1486 deri në vitin 1502. Ata besojnë se disa nga individët në atë kohë kanë qenë të zënë rob dhe kanë qenë viktima të ceremonive të sakrifikimit./ KultPlus.com