12 Prill, 2020 - 6:46 pm
Papa Françesku bëri thirrje të dielën për solidaritet global në luftën kundër koronavirusit.
“Kjo nuk është koha për indiferencë, sepse e gjithë bota është duke vuajtur dhe duhet të jetë e bashkuar”, tha Papa në mesazhin e tij për Pashkët, të lexuar në Bazilikën e zbrazët të Shën Pjetrit.
Mesazhi u transmetua drejtpërdrejt online.
“Kjo nuk është kohë për vetëpërqendrim, sepse sfida me të cilën përballemi ndahet nga të gjithë”, tha kreu i Selisë së Shenjtë.
“Indiferenca, vetëpërqendrimi, ndarja dhe harresa nuk janë fjalë që duam t’i dëgjojmë në këtë kohë. Ne duam t’i ndalojmë këto fjalë përgjithmonë”, shtoi ai.
Papa po ashtu paralajmëroi se BE-ja rrezikon të shpërbëhet dhe bëri thirrje për lehtësimin e borxheve për vendet e varfra.
Pa përmendur ndonjë vend specifik, Papa bëri thirrje për zbutjen e sanksioneve ndërkombëtare dhe lavdëroi mjekët, infermierët dhe punëtorët e tjerë, që vazhdojnë të mbajnë në funksion shërbimet themelore.
Besimtarët katolikë festojnë të dielën Pashkët, por shërbimet janë mbajtur në kisha të mbylluara, pasi miliona njerëz janë urdhëruar të qëndrojnë në shtëpi, si masë për frenimin e përhapjes së koronavirusit.